Site icon Telegrafi

Ligue 1: Pesë pyetje për sezonin e ri

Me rikthimin e Monacos dhe elitë dhe përforcimet e klubit, dhe me arritjet e reja te PSG, Ligue 1 premton të jetë më konkurruese si brenda, po ashtu edhe në Evropë.

Në vazhdim, ekspertët britanikë kanë zgjedhur pesë pyetje dhe përgjigjet e tyre, se çfarë mund të presim nga ky sezon në kampionatin francez.

1. PSG: A mund t’i ndalojë dikush ata?

Sezonin e kaluar PSG u kurorëzua kampion me numrin më të madh të pikëve ndonjëherë, 83. Kjo ishte pa luajtur aq mirë, dhe pavarësisht disa disfatave në fillim të sezonit në një atmosferë krize – nga të cilat më e madhja ishte disfata 2-1 nga Rennes, që kishte dy lojtarë të përjashtuar. Parisienët edhe këtë vit nuk e filluan më së miri, duke barazuar 1-1 në udhëtim te Montpellier.

Këtë sezon skuadra ka të njëjtin ekip plus Cavani, Marquinhos dhe Digne. A ka ndonjë klub tjetër që mund ta arrijë ritmin e tyre?

Monaco? Ata kanë një skuadër të shkëlqyeshme, ose më mirë një grup të lojtarëve të shkëlqyeshëm. Problemi i tyre është se ata do të duhet ta gjejnë stilin dhe qasjen kolektive të lojës e cila funksionon për ta. Marselle? Ata kanë sjellë disa lojtarë të mirë, por do të jetë një sezon i shkëlqyeshëm për ta nëse arrijnë atë çfarë arritën sezonin e kaluar.

Por ka disa arsye se pse PSG mund të mos ia dalë këtë sezon: ata do të mundohen të lënë gjurmë në Ligën e Kampionëve, siç bënë vitin e kaluar. Pastaj, a mund Zlatan Ibrahimovic të pranojë se nuk do të jetë ylli i skuadrës? A do të tregohet Laurent Blanc një trajner po aq i mirë sa ata që klubi dështoi t’i sjellë në Paris, si Wenger, Mourinho e Capello? Por sa më shumë mendoni, më pak besueshmëri ka se ndonjë skuadër tjetër mund ta rivalizojë atë.

2. Si duket kjo skuadra e re e Monacos?

Monaco vjen nga Ligue 2 me një projekt shumë ambicioz: të bëhet kampion këtë vit, dhe të kualifikohet drejtpërdrejt në Ligën e Kampionëve.

Skuadra ka në përbërje yje si Falcao, Moutinho, Toulalan, Abidal dhe Carvalho, të cilët sigurisht se mund të jenë konkurrues. Ata shënuan fitore në ndeshjen e parë të sezonit vikendin e kaluar, duke fituar 2-0 ndaj Bordeaux. Por a mund të jenë ata rivalë për titull në sezonin e parë rikthyes në Ligue 1? A do të shkarkohet Ranieri nëse skuadra has në vështirësi? Si do të jetë klima mes Monacos dhe futbollit francez, duke marrë parasysh përplasjet në mes të klubit dhe ligës rreth çështjeve të taksave? Të gjitha këto pyetje do të na shoqërojnë për muaj të tëra.

3. Kush do të jetë skuadra e tretë në kombinim?

Ligue 1 është pak a shumë në të ënjtën situatë si La Liga spanjolle: do të dominohet nga dy të mëdhenj. Nëse gjithçka shkon normalisht, të tjerët do të hanë çfarë të mëdhenjtë lënë anash. Dhe caku për secilin është të ëndërrojnë vendin e tretë, një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.

Ndonjë problem tjetër? Çdokush duhet t’i mbijetojë krizës së fuqishme ekonomike që do të bëjë ata të humbin gjithnjë e më shumë lojtarë.

Lyoni është bërë një skuadër e zakonshme: ylli është Clement Grenier, një i ri i dalë nga akademia e klubit i cili kaloi një formë të shkëlqyeshme në fund të sezonit të kaluar.

Lille është dashur të shesë secilin që ka mundur, dhe ka humbur po thuajse gjithçka që e bëri klubin kampion në vitin 2011.

Marseille është e vetmja skuadër që ka investuar, përveç PSG-së dhe Monacos, edhe pse ju nuk mund t’i krahasoni shumat e tyre. Ata përfunduan të dytë vitin e kaluar, arritën t’i mbajnë lojtarët kryesorë (Mandanda, NKoulou, Valbuena) dhe kanë blerë disa talente të shkëlqyeshëm (Payet, Imbula që njihet si ‘Essieni ri’).

4. Nga ku do të vijë argëtimi në Ligue 1?

Siç çdokush që e ka përcjellë Ligue 1 të shtunave e di, futbolli francez mund të jetë i vrazhdë për t’u shikuar. Me përjashtimin e Lille dhe disa klubeve të vogla romantike (Lorient, Saint-Etienne, Troyes), shumica e skuadrave luajnë në mënyrë të kujdesshme, defensive, le të themi “taktike”. Kundër-sulmet, betejat e fuqishme për top, ritëm i theksuar, por shumë pak kualitete teknike.

A do të ndryshojë kjo. Pse? Sepse Laurent Blanc është angazhuar ta bëjë këtë në Paris. Pasi Marseille dëshiron ta ndryshojë identitetin pas një serie të ndeshjeve që nuk meritonin të shikoheshin, e që u fituan me rezultat 1-0 vitin e kaluar. Sepse disa klube kanë premtuar t’u qëndrojnë principeve të tyre (Saint-Etienne, Lorient, Guingamp), derisa të tjerat pretendojnë të jenë më të hapur (Toulouse luan me tre në mbrojtje, Lyon zotohet se dëshiron të luajë me më shumë lëvizje). Do të presim dhe të shohim…

5. Çka rreth yjeve të rinj që po lindin?

Franca po bëhet supermarket i Evropës, me klubet e huaja që vijnë dhe i zgjedhin lojtarët që janë të mirë, të kompletuar dhe jo shumë të shtrenjtë. Por brenda Francës njerëzit të cilët drejtojnë akademitë ankohen se ata po ndërtojnë lojtarë të moshës 19, 20, 21, por trajnerët preferojnë të blejnë amerikano-jugor ose evropianë të lindjes të cilët janë më të shtrenjtë dhe jo aq të mirë. Ky është realitet.

Por me krizën ekonomike, klubet franceze nuk blejnë më, dhe për këtë arsye ata as nuk shesin më. Kjo do të thotë se lojtarët e rinj janë në dispozicion, dhe presidentët e klubeve po u thonë menaxherëve të angazhojnë lojtarë nga të rinjtë. Lyon, Toulouse, Rennes, Nice, Saint-Etienne, Bordeaux, dhe madje edhe PSG (vetëm shikoni 17-vjeçarin Ongenda) po nxjerrin lojtarë nga akademitë e të rinjve.

Edhe tifozët janë të lumtur për këtë. Franca është kampion bote në U20 dhe nënkampion evropian në U19, andaj njerëzit i kanë shikuar lojtarët e rinj francezë duke shkëlqyer në televizor këtë verë dhe do të jenë të lumtur t’i shohin ata këtë sezon edhe në Ligue 1 ose edhe duke luajtur në ekipin e Francës.

Cilët kanë potencial të shkëlqejnë këtë sezon? Nëse do ta përcillni kampionatin francez mos harroni të mbani nën vëzhgim lojtarët si: Umtiti, Benzia (Lyon), Ongenda, Rabiot (PSG), Zouma (Saint-Etienne), Sylla (Toulouse), Poundjé, Sacko (Bordeaux), Guerreiro (Lorient), Imbula, Mendy (Marseille), Veretout (Nantes) dhe Thauvin (Lille). Shanset janë që klubi që ju preferoni ta blejë ndonjërin prej tyre verën e ardhshme. /Telegrafi/ 

Exit mobile version