Liga Premier po shqyrton mundësinë e vendosjes së kamerave në trup për gjyqtarët, në një përpjekje për të mbrojtur ata pas gjesteve që bëri Arne Slot ndaj Michael Oliver.
Drejtori ekzekutiv i Federatës Angleze të Futbollit (FA), Mark Bullingham, ka qenë një mbështetës i fortë i inkuadrimit të kamerave tek gjyqtarët në futbollin profesional, duke besuar se një teknologji e tillë mund të ndihmojë në zvogëlimin e sjelljeve të këqija dhe njëkohësisht të rrisë transparencën ndaj tifozëve.
Kamerat në trup janë prezantuar me sukses tashmë në nivelet më të ulëta, ku ato përdoren për të parandaluar abuzimet ndaj gjyqtarëve.
Bullingham beson se sjellja e tyre në elitën e futbollit anglez jo vetëm që do të rriste transparencën në drejtimin e ndeshjeve, por do të shtonte edhe një dimension tjetër interesant në transmetimet e tyre.
“Në futbollin profesional, kamerat në trup kanë të bëjnë më shumë me faktin nëse do të jenë të dobishme për transmetuesit. Është diçka që duhet provuar – dhe potencialisht lejuar. Fillimisht, mund të provohen pa audio dhe më pas me audio”.
“Ato kanë pasur një ndikim vërtet pozitiv. Ne e shohim këtë si një mënyrë të mirë për t’i bërë gjyqtarët të ndjehen më të sigurt. Kemi parë një rënie të madhe në numrin e incidenteve në ligat ku përdoren kamerat në trup”, ka thënë Bullingham.
Ndërsa prezantimi i kamerave në trup në ndeshjet zyrtare do të ishte një hap revolucionar, teknologji të ngjashme janë testuar tashmë në disa ndeshje të Ligës Premier dhe ndeshje miqësore para sezonit.
Jarred Gillett vuri një kamerë në trup gjatë një ndeshjeje të Ligës Premier midis Crystal Palace dhe Manchester United në vitin 2024.
Edhe pse pamjet nuk u transmetuan direkt, ato më pas u përdorën për një program edukativ që synonte të jepte një pasqyrë më të thellë të sfidave me të cilat përballen gjyqtarët./Telegrafi/