Dimitar Berbatov ka lëshuar një përgjigje direkte ndaj idesë që Manchester United të sfidojë Manchester Cityn ose Arsenalin për titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Lojtarët e Erik ten Hag po kalojnë nëpër një formë fantastike që nga fundi i Kampionatit Botëror në Katar, teksa United forcon vendin e tyre në top katërshe të elitës së futbollit anglez.
Djajtë e Kuq janë të tretët në tabelën e ligës dhe janë pesë pikë prapa liderit të ligës, Arsenalit, i cili ka dy ndeshje më pak se United.
United është ende duke luftuar për të gjithë trofetë dhe Ten Hag mund të sigurojë trofeun e tij të parë të madh me klubin nëse skuadra e tij mund Newcastlen në finalen e Kupës së Ligës.
Berbatov, i cili kaloi katër sezone me United, fitoi dy tituj të Ligës Premier dhe një Kupë të Ligës nën drejtimin e ish-trajnerit legjendar të Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson.
Por, kur u pyet nëse United është në garë për trofeun e Ligës Premier, Berbatov i tha Betfred : “Sigurisht që janë sepse janë në pozitën e tretë për momentin”.
“Jam i lumtur që i shoh në pozicionin ku janë dhe si po lëvizin, por veçanërisht në rastin e Manchester United dhe Tottenhamit, qëndrueshmëria është cilësia kryesore që ju nevojitet nëse doni të bëheni kampion sepse Liga Premier është një maratonë, jo një sprint”.
“Duhet të luash vazhdimisht mirë dhe edhe kur nuk luan mirë, duhet të dini se si të marrësh pikët. Këtë kanë bërë të gjithë kampionët e Ligës Premier”.
“Është kaq interesante për momentin, sepse ju keni Arsenalin duke lëshuar pikë, Manchester City ka lëshuar pikë dhe Manchester United po shkon pas tyre dhe shpreson të befasojë të gjithë”.
“Sipas mendimit tim, është shumë herët të thuhet se kush do ta fitojë titullin e Ligës Premier këtë sezon”, ka shtuar më tej Berbatov. /Telegrafi/