Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 18-të në Ligën e Parë të Kosovës, ku nuk munguan rezultatet befasuese dhe lëvizjet në renditje.
Sa i përket Grupit A, Drenica ka krijuar një epërsi, ndërsa të tjerat janë afruar në një pikë në garën për vendin e dytë.
Drenica mori një fitore shumë të rëndësishme në derbi ndaj Trepçës si mysafir duke triumfuar me rezultat 2-0 në stadiumin “Sami Kelmendi”.
Derbi tjetër mes Trepçës ‘89 dhe Vëllaznimit është mbyllur baras 1-1, sikurse dhe ndeshja Mitrovica – Besa e Pejës.
Liria ka marr fitore me rikthim ndaj Rilindjes 74 me 2-1, duke vazhduar ngjitjen në renditje.
Drenica tani ka 38 pikë në vendin e parë, ndërsa Trepça ‘89 dhe Liria me nga 33 pikë mbajnë pozitat dy dhe tre.
Trepça dhe Vëllaznimi mbajnë pozitat katër dhe pesë me nga 32 pikë.
Besa e Pejës është e gjashta me 24 pikë, ndërsa pas tyre vjen Rilindja 1974 me 19 pikë.
Istogu është i teti me 18 pikë, ndërsa Rahoveci i nënti me 11 pikë. Në fund është Mitrovica me 8 pikë.
Në anën tjetër, Grupi B, duke shumë më i sqaruar, pasi që Prishtina e Re me fitoren e sotme ndaj Dinamo Ferizajt me rezultat 3-1 ka krijuar një distancë të kënaqshme.
Kjo pasi Vushtrria nuk shoi më shumë se një barazim pa gola ndaj KEK-ut.
Ramiz Sadiku ka vazhduar ngjitjen, duke e mposhtur 2 Korrikun me rezultat 3-0 në derbin e kryeqytetit.
Fushë Kosova dhe Flamurtari kanë ndarë pikët pas barazimi 0-0. Kika ka marr një fitore të madhe si mysafir i Vjosës me rezultat 1-0, në luftën e tyre për mbijetesë.
Prishtina e Re tani ka 47 pikë, shtatë më shumë se sa Vushtrria që është e dyta me 40 pikë.
Ramiz Sadiku është i treti me 33 pikë, duke vazhduar me formën fantastike në pranverë.
Dinamo e Ferizajt është e katërta me 27 pikë, ndërsa KEK-u tani ka 24 pikë në vendin e pestë. Vjosa është e gjashta me 19 pikë, ndërsa Fushë Kosova me 18 pikë është e shtata.
2 Korriku është i teti me 17 pikë, Kika e nënta me 14 pikë, ndërsa Flamurtari mbyll renditjen me 10 pikë.
/Telegrafi/