Telegrafi

Liga e Kampionëve: Fituesit dhe humbësit

Fituesit e javës në Ligën e Kampionëve

Wayne Rooney

Duket se nuk ka asgjë që e ndalon sulmuesin anglez. Ai shënoi golin e tij të 29-të dhe të 30-të të sezonit për të ndihmuar Manchester United të shkatërrojë Milanin me fitore 4-0 dhe për ta eliminuar nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 7-2. Rooney shënoi dy gola edhe në ndeshjen e parë, për të çuar kështu në katër numrin e shënimeve kundër rosonerëve.

Wayne Rooney duke iu gëzuar njërit nga golat (Foto: AFP)

Ji-Sung Park

Mesfushori i palodhshëm duket se është duke u ruajtur vetëm për ndeshje të mëdha nga trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson. Jug-koreani nuk zhgënjeu as kësaj here, duke shënuar njërin nga golat e fitores 4-0 ndaj Milanit dhe duke bllokuar mesfushorin kundërshtar Andrea Pirlo.

Ji-Sung Park pas shënimit të golit (Foto: AP)

Arjen Robben

Anësori i qetë shpërtheu duke shënuar golin e dytë për Bayern Munichun në humbjen 3-2 ndaj Fiorentinës në Ligën e Kampionëve. Edhe pse u mposhtën dhe rezultati i përgjithshëm ishte i barabartë, 4-4, bavarezët arritën të kualifikohen më tej në garën evropiane falë më shumë golave të shënuar si mysafir, ku vendimtar ishte pikërisht goli i Robben.

Arjen Robben feston kualifikimin me bashkëlojtarët (Foto: AP)

Nicklas Bendtner

Sulmuesi danez heshti kritikët në ndeshjen kundër Portos. Pas paraqitjes zhgënjyese në vikend kundër Burnleyt, danezi u rikthye në fushë për të shënuar hat-trick në fitoren 5-0 ndaj Portos në Ligën e Kampionëve dhe për të kualifikuar më tej topçinjtë.

Nicklas Bendtner duke shënuar golin e tretë nga penaltia (Foto: AP)

Stevan Jovetic

Mesfushori i Fiorentinës ndoshta nuk arriti ta dërgojë në çerekfinale ekipin e tij, por joshi edhe një herë vëmendjen e gjigantëve të futbollit. Ai shënoi dy gola në fitoren 3-2 ndaj Bayern Munich, që megjithatë nuk mjaftuan për të dërguar Violan në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve.

 

Stevan Jovetic i zhgënjyer pas eliminimit nga Bayern (Foto: AFP)

Humbësit e javës në Ligën e Kampionëve

Cristiano Ronaldo

Për Cristiano Ronaldon, ashtu siç nuk ishte e këndshme disfata e parë në Lyon, madje edhe më i pakëndshëm ishte barazimi në Bernabeu. Portugezi ambicioz edhe pse shënoi një gol për Real Madridin, ekipi i tij nuk arriti të kualifikohet për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Edhe më i dhimbshëm për të është fakti se finalja mbahet pikërisht në Bernabeu ndërsa rast për të arritur atje do të kenë ish-bashkëlojtarët e tij, pasi United eliminoi Milanin.

Cristiano Ronaldo as që e ka menduar se mund të eliminohet nga Lyon (Foto: AP)

Real Madrid

Klubi spanjoll harxhoi plot 200 milionë funte gjatë verës me qëllimin primar për të arritur në finalen e Ligës së Kampionëve, që këtë vit mbahet në stadiumin e këtij klubi, Santiago Bernabeu. Por Real Madridi nuk arriti të thyejë barrikadën e pesë viteve të fundit, dhe për të gjashtën herë nuk arriti të kualifikohet në çerekfinale të garës evropiane.

Lojtarët e Real Madrid të zhgënjyer në fushë (Foto: AP)

Leonardo

Në vend se të nxjerrë një sulmues në fushë, Leonardo rrezikoi me tre të tillë. Kjo iu shpagua për keq menaxherit të Milanit, pasi ekipi i tij u shkatërrua me rezultat 4-0 nga Manchester United.

Leonardo duke dhënë këshilla për lojtarët e tij (Foto: Reuters)

David Beckham

Edhe pse pritej të ishte një rikthim emocionues për Beckham në Old Trafford, mesfushori anglez nuk priti që ky të jetë edhe kaq zhgënjyes. Ai u kyç në lojë kur ekipi i tij pësonte me rezultat 3-0 dhe shijoi edhe një gol tjetër në portën e tij gjatë minutave sa qëndroi në fushë.

David Beckham përshëndet fansat në Old Trafford (Foto: AP)

Jorge Fucile

Mbrojtësi i Portos ka qenë një prej lojtarëve më të dobët në këtë rund të Ligës së Kampionëve. Fucile ishte një prej fajtove që ekipi i tij pësoi me rezultat të thellë, 5-0, ndaj Arsenalit në Emirates.

Jorge Fucile duke ndërhyrë ndaj Samir Nasri (Foto: AFP)

/Telegrafi/