Telegrafi

Liga Ballkanike: Gjysmëfinalisti debutues Bashkimi përballë nikoqirit Rilski

Gjatë të shtunës (14 prill) në kuadër të fazës ‘Final Four’ të Ligës Ballkanike do të zhvillohen dy ndeshjet gjysmëfinale.

Gjysmëfinalja e parë zhvillohet ndërmjet KK Blokotehna-NB dhe BC Levski Lukoil nga ora 15:00 në Samokov, kurse gjysmëfinalja e dytë zhvillohet ndërmjet nikoqirit BC Rilski Sportist dhe debutuesit në këtë fazë, KB Bashkimi, nga ora 18:30.

(Foto: BalkanLeague.net)

Skuadra nikoqire do të përpiqet që ta fitojë trofeun e dytë në këtë garë, pas triumfit që kishte shënuar në vitin 2009. Për ta bërë këtë, ky ekip duhet të jetë i gatshëm për ta tejkaluar presionin e të qenit vendas, duke qenë se pritshmëritë janë të mëdha.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për KB BASHKIMI

Rilski do të mbështetet kryesisht në liderin Yordan Bozov, i cili e ka përvojën, ndërsa aty janë edhe basketbollistët, si Wright, Georgiev dh Marinov – shkruan në faqen e Ligës Ballkanike.

(Foto: BalkanLeague.net)

Ekipi nga Kosova është debutues në këtë fazë të Ligës Ballkanike. Në sezonin e tretë pjesëmarrës, Bashkimi ka arritur në ‘Final Four’ dhe do të shpresojë të jetë befasia e këtij edicioni.

Pas një fillimi të luhatshëm të sezonit, prizrenasit gjetën lojtarët e duhur dhe trajnerin e duhur dhe janë përmirësuar shumë në javët e fundit.

Aaron Moss është ndër basketbollistët e rëndësishëm të skuadrës, derisa Mikaile Tmusic është zemra dhe shpirti i ekipit.

(Foto: BalkanLeague.net)

Vincent Zollo, Frederic Stutz, Urim Zenelaj dhe Altin Morina janë lojtarët që kryejnë rolet kyçe dhe angazhimi i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Bashkimi nuk ka asgjë për të humbur në duelin e sotëm (e shtunë), prandaj kjo është një përparësi e madhe kundrejt ekipit nikoqir. /Telegrafi/