Telegrafi

Lidhej me një kalim te Kosova, Felix Magath rikthehet në Bundesliga

Felix Magath ishte i lidhur me një kalim te Përfaqësuesja e Kosovës për pothuajse një vit, mirëpo ai tani ka gjetur një aventurë të re.

Në moshën 69-vjeçare ai rikthehet përsëri në fushën e blertë të futbollit. Hertha Berlin ka vendosur t’i besojë stolin e ekipit të saj trajnerit të njohur, i cili është i papunë që nga viti 2017.

Ish-tekniku i Bayern Munichut dhe Schalkes do të kenë për detyrë të ringjallin një ekip të parafundit në renditje dhe në krizë të plotë rezultatesh.

Lexo po ashtu Magath konfirmon bisedimet me drejtuesit e FFK-së: Jam gati t’i kthehem punës si trajner

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën aktuale”,  deklaroi trajneri Magath për faqen zyrtare të klubit. “Jam i lumtur të mund t’i japim dorën Herthas në përpjekje për të arritur objektivin. Është koha të përqendrohemi në tetë ndeshjet që mungojnë në fund të kampionatit”.

Trajneri i lindur në vitin 1953 ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në qershorin e ardhshëm. Në ndeshjen e javës së 26-të të Bundesligës, të shtunën, Hertha humbi 2-0 në transfertë ndaj Borussia M’gladbach.

Në anën tjetër, Kosova shkoi për Alain Giresse, një person i njohur më shumë për suksesin e tij si lojtar, por jo edhe si trajner. /Telegrafi/