Lideri i Vala Superligës së Kosovës në futboll, Trepça ’89, ishte nikoqir i skuadrës që po lufton për mbijetesë, Ferizajt, në ndeshjen e javës së 25 kampionale. Ky takim u mbyll pa gola.
Skuadra vendase e nisi më mirë takimin duke dominuar në minutat e para dhe rrezikoi me anë të Otto John dhe Arbër Potokut.
Nikoqirët vazhduan presion në kërkim të golit, por mysafirët mbroheshin mirë. Një shans me kokë e pati Izmaku pas harkimit të Idrizit, porse rezultati mbeti i pandryshuar pas 45 minutave të para.
Otto John rrezikoi edhe në pjesën e dytë pas harkimit të Florent Hasanit, ndërsa Ferizaj provonte me kundërsulme. Sidoqoftë, rrjetat heshtën në “Riza Lushta”.
Trepça ’89 vazhdon të jetë lider i Superligës me 59 pikë, shtatë më shumë se Feronikeli dhe tetë më shumë se Prishtina. /Telegrafi/