Telegrafi

Lewandowski me fjalë të mëdha për Haaland: Do të bëhet më i miri në botë

Bundesliga në gjirin e saj ka dy prej sulmuesve më të fortë në qarkullim, emra si Roberto Lewandowski dhe Erling Haaland.

Polaku ende duket në nivel më të lartë, pasi ka shënuar 35 gola në këtë sezon të Bundesligas, ndërsa norvegjezi ka 21.

Lewandowski ka folur për Haaland, duke thënë se ka talent dhe të ardhme të madhe para tij.

“Haaland është një futbollist i shkëlqyer. Ai është ende shumë i ri dhe ka një potencial të madh. Nëse e sheh në fytyrë, e dallon lehtë urinë e madhe që ka dhe dëshirën për të shënuar gola”.

“E ka mundësinë për t’u bërë sulmuesi më i mirë në botë. Por kujdes, jo gjithçka shkon mbarë gjithmonë dhe në futboll nuk ka asgjë të lehtë”.

“Erling po realizon shumë gola, por është akoma i ri. Unë mendoj se është diçka fantastike të kesh një talent të tillë në Bundesligë dhe të përballesh me të. E përsëris, ai është një futbollist që mund të bëhet më i miri”.

“Gjithsesi, unë nuk kam ndërmend t’i hap rrugë dhe t’ia jap stafetën. Jam i lumtur këtu ku jam dhe kam ndërmend të luaj në nivele të larta edhe për disa vite”, ka thënë Robert Lewandowski.

Sulmuesi polak ka thënë se para se t’i varë këpucët në gozhdë synon të thyejë rekordin e sulmuesit legjenda gjerman Gerd Muller për t’u bërë shënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në historinë e Bundesligës./Telegrafi/