Site icon Telegrafi

Levante regjistron vetëm fitoren e dytë të sezonit, edhe atë si mysafir i kampionit Atletico Madrid

(Foto: Twitter/La Liga)

Skuadra e Levantes ka bërë befasi të madhe në Estadio Wanda Metropolitano duke e mposhtur Atletico Madridin me rezultat 1-0.

Jorge de Frutos humbi një mundësi të mirë për skuadrën mysafire në gjysmën e parë duke dhuruar një goditje të fuqishme, mirëpo Jan Oblak bëri një pritje vendimtare.

Në mbyllje të fraksionit të parë, edhe vendasit rrezikuan përmes Thomas Lemar, i cili goditi një top të kthyer, mirëpo nuk përfundoi brenda kuadratit të portës.

Rezultati u zhbllokua në gjysmën e dytë (54’) kur Gonzalo Melero pranoi një asistim nga Jorge de Frutos dhe goditi me të parën, ndërsa topi u ndal në rrjetë.

Disa minuta më pas pati dyshim për prekje të topit me dorë nga një lojtar i Levantes brenda zonës, mirëpo pas konsultimit të VAR-it, gjyqtari Jose Luis Munuera Montero konfirmoi se nuk kishte penallti.

De Frutos rrezikoi sërish më vonë gjatë ndeshjes duke pranuar një pasim preciz në zonë, mirëpo Oblak përsëri e ndali goditjen e tij.

Pas kësaj humbjeje, Atletico Madridi ka dështuar të ngritet në vend të katërt në tabelë, ku qëndron Barcelona me pikë të barabarta. Levante mbetet e fundit në renditje me 14 pikë, dhjetë më pak se Granada që ndodhet në zonën jashtë rrezikut. /Telegrafi/

https://twitter.com/jamesjeremyperu/status/1494028786043695110

Exit mobile version