Poezi nga: Sylvia Plath
Përktheu: Faslli Haliti
S’ është e lehtë të thuash ndryshimin që të veproje.
Nëse tani jam e gjallë, atëherë isha e vdekur
edhe nëse, si një gur, nuk u kujdesa për veten
dhe rrija aty ku isha si zakonisht.
Ti s’kufizoheshe të më shtyje pak me këmbë, jo-
dhe të lije që të kthehej syri im i vogël lakuriq
përsëri drejt qiellit, pa shpresë, është e natyrshme,
për të kuptuar kaltërsinë, apo yjet.
Nuk qe kjo. Le të themi që fjeta: një gjarpër
i maskuar poshtë një guri të zi midis gurëve të zinj
në zbrazësinë e bardhë të dimrit-
si fqinjët e mi, pa nxjerr ndonjë kënaqësi
nga miliona faqe të skalitura përsosmërisht
që preheshin në çdo kohë për të shpërndarë
faqen time prej bazalti. shndërroheshin në lot,
engjëj vajtues me natyrë të shuar,
Por nuk më bindnin. Ato lot ngrinin.
Çdo kokë e vdekur kishte një grilë akulli.
Dhe unë vazhdoja të flija si një gisht i palosur.
Gjëja e parë që pashë qe ajri, ajri i kulluar, i qelqtë,
dhe pikat e burgosura që ngriheshin në vesë
të kthjellët si shpirtra. Përreth shtriheshin
shumë gurë flegmatikë dhe të shpërlarë,
Unë shikoja dhe nuk kuptoja.
Me një vezullim cifle mike, u largova
për t’u derdhur jashtë si një lëng
midis këmbëve të zogut dhe të kërcejve të bimëve
Nuk u gënjeva. Të njoha në çast.
Pemë dhe gurë shkëndijonin, pa hije.
Gjatësia ime e shkurtër u bë e shndritshme si qelqi.
Fillova të buis si një filiz marsi:
një krah dhe një këmbë, një krah, një këmbë.
Nga guri në re, dhe kështu u ngjita në largësi.
Tani unë i ngjaj një specie të Perëndisë
dhe valvitem nëpër ajër në fustanin tim të shpirtit
të pastër si një kallep akulli. Është një dhuratë.