Ermir Lenjani është kthyer në një futbollist tejet të rëndësishëm për Sionin në Zvicër.
Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë në ndeshjet e fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm dhe më i miri tek skuadra e tij.
Përveç paraqitjes mjaftë të mirë në mbrojtje, Ermiri ka shënuar dhe ka asistuar në fazën e sulmit.
Por skuadra e Sionit aktualisht zë pozitën e fundit në tabelë me 25 pikë, tri më pak se Thun dhe gjashtë më pak se Lausanne, Grasshopper e Lugano.
Mbrojtësi shqiptar ka thënë për mediat zvicerane se skuadra e tij do ta shmang rënien.
“Nëse do të vazhdojmë të luajmë kështu, duke pasur aq shumë raste për të shënuar, do të largohemi nga pozita e fundit”.
“A rrezikoni rënien? Jo. Të marrësh pikë nuk është e lehtë por ne jemi duke bërë mirë”.
“Po luftojmë secili për shokun e skuadrës dhe po shkon gjithçka mirë. Nuk duhet të shqetësohemi për pikët, duhet të vazhdojmë të luajmë kështu dhe në fund do të shpëtojmë”, ka thënë Lenjani.
Në ndeshjen e radhës, Sion do të përballet me Lausannen e Benjamin Kolollit. /Telegrafi/