Liga Premier gjithmonë ka qenë joshëse për botën, por në vend të Wayne Rooneyt dhe Sergio Agueros që të jenë në qendër të vëmendjes, Jamie Vardy e Riyad Mahrezi tash janë yjtë kryesorë, derisa rrugëtimi i Leicester Cityt drejt titullit të Anglisë është duke shkuar në fazën përfundimtare.
Rritja e skuadrës është e madhe. Një vit e pak ishte e fundit në tabelë me shtatë pikë disavantazh nga vendi i parafundit, kurse sot është e para në premier League me shtatë pikë avantazh nga vendi i dytë kur kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në fund.
Kjo ngritje e Leicester Cityt është bërë storia më e përfolur sportive në botë, raporton Reuters, përcjell Koha Ditore.
Qëkur iu bashkua Football Leagues në vitin 1894, paraqitja më e mirë e Leicesterit ishte përfundimi si nënkampion në vitin 1929 dhe deri para këtij stinori, përpos tri triumfeve në League Cup, arritja më unike ishte plasimi në finale të FA Cup për katër herë, ku kishte humbur në të katër rastet.
Premier League shikohet nga miliarda njerëz në më tepër se 200 shtete nëpër botë. Edhe SHBA-ja më nuk është imune, ku shifrat e shikueshmërisë janë duke u rritur, ndërsa revista “Newsweek” i ka dhënë tri faqe stinorit të mrekullisë së Leicester Cityt.
Shumë klube globale të tifozëve të Leicesterit, që kanë qenë të heshtur me vite, papritmas kanë nisur të lulëzojnë.