Telegrafi

Leicester drejt titullit, biletat drejt çmendurisë: 13 mijë paund!

Leicester City është thuajse kampion i Anglisë, pas barazimit të mbrëmshëm të Tottenham Hotspur me WBA.

Skuadrës së Claudio Ranierit i duhet vetëm një fitore në tri ndeshjet e mbetura. Dy takime janë si mysafirë, kundër Manchester United e Chelsea, ndërsa midis tyre është ndeshja në shtëpi ku mund të vendoset matematikisht titulli, kundër Evertonit.

Biletat për këtë ndeshje, që do të luhet më 7 maj, janë shitur me kohë, por tani po ridalin në site të specializuar për rishitjen e tyre. Dhe çmimi është vërtet i çmendur, shkon nga 334 deri në 13.220 sterlina!

Leicester mund ta fitojë titullin që këtë javë, në Old Trafford, por Liga Angleze nuk do ta lejojë klubin të vendosë ekran të madh brenda fushës së stadiumit për tifozët që nuk do të udhëtojnë drejt Manchesterit.

Megjithatë, mund të vendosen ekrane në mjediset e brendshme të stadiumit, që mbajnë 1600 persona, me çmim 5 sterlina për të rritur dhe 3 sterlina për fëmijët.