Nëse ka një lojtar te Werder Bremen që mund të luajë te Bayern Munich, ai është Milot Rashica, ka thënë legjenda e klubit bavarez, Giovane Elber.
Sulmuesi brazilian ka veshur fanellën e Bayern Munich nga sezoni 1997 deri në vitin 2003, dhe në 169 paraqitje kishte shënuar 92 gola.
Në një intervistë për mediet gjermane, Elber është pyetur se cili lojtar i Werder Bremen mund të luajë te skuadra e Bayern Munich, që tani është kampione e Evropës.
“Bayern ka plotësuar çdo pozitë me nga dy lojtarë, jo thjesht me rezervistë të klasit të lartë ose lojtarë shtesë, por me profesionist cilësorë. Nëse dikush lëndohet ose pezullohet, ai zëvendësohet nga një lojtar me vlerë të njëjtë”.
“Kështu, kërkesat për një lojtar janë të larta. Shoh shumë pak lojtarë të Werder që mund të plotësojnë këto kërkesa”.
“Në të vërtetë vetëm një lojtar i plotëson këto standarde: Milot Rashica, i cili ka aftësi të caktuara që mund të luajnë një rol”.
“Por me këtë dua të them Rashicën e mirë, siç u prezantua në kampionat disa kohë më parë. Ai ka qenë në formë të keqe së fundi dhe ka vuajtur nga lëndimet”, ka thënë Elber. /Telegrafi/