Fituesi i Kupës së Botës me Azurrët, Beppe Bergomi ka thënë se skuadra e Roberto Mancinit në Euro 2020 është ‘Italia më mbresëlënëse në histori’.
Azurrët përballen me Austrinë në fazën e 1/8-tës sonte (e shtunë) me fillim nga ora 21:00, pasi kanë fituar 11 ndeshjet e tyre të fundit radhazi dhe kanë mbetur të pamposhtur në 30 takime.
Forma e tyre brilante ka bërë që legjenda italiane, Bergomi, i cili fitoi Kupën e Botës në vitin 1982, ta cilësoj ekipin e Mancinit si “Italia më mbresëlënëse në histori”.
“Unë e konsideroj këtë si skuadrën më mbresëlënëse të Italisë në histori”, ka thënë Bergomi për gazetën Il Messaggero.
“Ata luajnë dhe shijojnë futbollin e tyre ashtu si do të dëshironte një ekip i shkëlqyeshëm. Ata janë të guximshëm, marrin iniciativën, fitojnë dhe e bëjnë këtë bindshëm”.
“Unë pashë të gjitha ndeshjet e tyre dhe mund të them se kemi të gjitha arsyet të ndihemi optimistë. Besoj se Azzurrët mund të arrijnë deri në finale në Wembley”, përfundoi legjenda italiane.
Ndryshe, fituesi i përballjes Itali-Austri do të ndeshet në çerekfinale me fituesin e ndeshjes mes Belgjikës dhe Portugalisë. /Telegrafi/