Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe mbështetësit e tij po i bëjnë gjithnjë e më shumë nder Ratko Mlladiqit, i njohur si “kasapi i Srebrenicës” dhe i dënuar në Tribunalin e Hagës për gjenocid, shkruan gazeta franceze Le Figaro, duke komentuar muralin e gjeneralit të vizatuar në rrugën Njegosheva në Beograd.
Gazeta e Parisit përshkruan incidentet e fundit para muralit, praninë e policisë dhe arrestimin e aktivistes Aida Çoroviq, e cila hodhi vezë dhe ngjyrë drejt muralit, që ishte vizatuar disa muaj më parë.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tani po mbron hapur gjeneralin e luftës të Ushtrisë serbe, Ratko Mlladiq, i cili u dënua nga Tribunali i Hagës për gjenocid”, shkruan Le Figaro
Ky shkrim tregon se një zyrtar i Partisë Socialdemokrate të Serbisë ka hedhur gëlqere në mural, pas së cilës një grup i të rinjve me maska kanë larë gëlqeren derisa policia nuk ka reaguar.
Aty theksohet se vëmendja e publikut është bërë nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut me rastin e 9 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare kundër Fashizmit.
Figaro deklaron se Vuçiq përvetësoi një ton të moderuar dhe një kurs pro-evropian për të rimarrë pushtetin, por kujton se presidenti i Serbisë dikur ishte anëtar i Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit dhe ministër i Informacionit në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
“Personazhi i vërtetë i atij që e largoi personalisht pllakën nga rruga Zoran Gjingjiq, kryeministrit progresiv të vrarë në vitin 2003, për ta zëvendësuar me pllakën e Ratko Mlladiqit, doli sërish në dritë”, shkruan gazeta, duke aluduar për Vuçiqin.
Historiani Milivoj Beshlin deklaron se autoritetet po vendosin “fashizmin, duke mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe duke e kthyer vendin në vitet 90-ta”.
“Autoritetet duan të dërgojnë mesazhin se vetëm serbët ishin viktima të shpërbërjes së Jugosllavisë. Procesi i ballafaqimit me të kaluarën është ndalur që nga viti 2015, si dhe procesi i pajtimit me fqinjët”, tha Natasha Kandiq, e cila është themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare.
Në vend të konsolidimit të paqes, liderët e Serbisë dhe Republika Srpska kanë dy vjet që po zhvillojnë konceptin e “Botës Serbe”. Kështu Banja Luka dhe Beogradi shënuan Ditën e Flamurit serb me këngë patriotike dhe ushtrime ushtarake. /Telegrafi/