Site icon Telegrafi

LDK në Gjilan reagon pas dështimit të seancës, thonë se Hyseni dëshiron të shpërqendrojë opinionin publik duke fajësuar opozitën

Pas dështimit për të tretën herë radhazi të seancës urgjente në Kuvendin Komunal të Gjilanit, e thirrur nga kryetari Alban Hyseni për miratimin e buxhetit të vitit 2025, LDK në Gjilan ka mbajtur një konferencë për media.

Anëtari i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Muhadin Haziri, i cili ishte i vetmi asambleist opozitar i pranishëm në sallë, tha se ai mori pjesë për të paraqitur qëndrimet e subjektit të tij.

“Kryetari tash e dy javë thirret vetëm me media dhe konferenca. Ai mendon se asambleisti ka vlerë vetëm për pesë minuta, atëherë kur ka të bëjë me çështjen e buxhetit. Ne gjithmonë kemi qenë konstruktivë, sidomos kur bëhet fjalë për buxhetin”, deklaroi Haziri.

Ai kritikoi kryetarin Hyseni për, siç tha, veprimet njëanshme dhe mospërfshirja e opozitës në takime, duke e cilësuar këtë qasje si mungesë serioziteti në menaxhimin e buxhetit.

“Ai ka një qëllim negativ, dëshiron të shpërqendrojë opinionin publik duke fajësuar opozitën se nuk merr pjesë në seanca. Në fakt, ai e ka futur në lajthitje Kuvendin Komunal dhe po qeveris në mënyrë të njëanshme”, shtoi Haziri.

Ai u shpreh i gatshëm për arritjen e një marrëveshjeje mbi buxhetin, por jo në mënyrën se si po vepron kryetari Hyseni, duke e akuzuar këtë të fundit për qëllime personale.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, tha se procesi i hartimit të buxhetit nga ekzekutivi lokal është shkelur që nga viti i kaluar.

“Ligji për vetëqeverisjen lokale thotë se buxheti duhet të fillojë të organizohet me dëgjime publike të drejtuara nga Kryesia e Kuvendit Komunal, ku përfshihen të gjitha partitë politike, dhe pastaj nevojat e qytetarëve duhet të inkorporohen në buxhetin e komunës”, deklaroi Kadriu.

Sipas tij, kjo procedurë nuk është respektuar dhe dëgjimet publike janë mbajtur brenda dy ditëve, pa u organizuar siç duhet. /Telegrafi/

Exit mobile version