Lidhja Demokratike e Kosovës – dega në Gjilan, ka reaguar ndaj procesit të renovimit të stadiumit të Gjilanit, derisa Organi Shqyrtues i Prokurimit ka njoftuar se është aprovuar pjesërisht ankesa e kompanisë kontraktuese“Euro Construction”, ku si rrjedhojë procesi mund të shkojë në ritenderim.
Në një konferencë për media, Lutfi Haziri ka ngritur shqetësimin për anulimin e projektit për rinovimin e Stadiumit të Qytetit.
Ai thotë se ky është dështimi më i madh që e ka shkaktuar Komuna, në rrjedhën e shumë dështimeve të njëpasnjëshme tash e 3 vite.
“Ky është dështimi më i madh që e ka shkatuar Komuna, në rrjedhën e shumë dështimeve të njëpasnjëshme tash e 3 vite. Me këtë vendim u faktuan gjetjet që ne si LDK i kemi paralajmëruar qe një kohë. Shqetësimet tona për një proces të mbyllur, jotransparent, për një proces me ndërhyrje nga jashtë dhe me gjithë këtë kaos që Komuna jonë e ka shkaktuar, dje përfundimisht ky proces u kthye në pikën zero”, tha Haziri.
Tutje, Haziri tha se procesi ka qenë i korruptuar, dhe sipas tij si i tillë në të ardhmen nuk garanton të jetë prapë i hapur.
“Nga sot e tutje do të dalin faktet në dritë, sepse nuk kemi të bëjmë vetëm me mbyllje të dyerve, fikje të kamerave apo ndërhyje në aplikacione, por kemi të bëjmë edhe me dyfishim të çmimit të komplet projektit. Nuk bëhet fjalë vetëm për 2 milionë euro më shumë, por për mbi 7.8 milionë euro nga projekti ynë”, tha tutje ai.
LDK konsideron se tani është koha e hetimeve në të gjithë këtë proces, ku sipas Hazirit nuk mund që për projekte të tilla kapitale, të vendoset me vizita në Zvicërr e me takime të fshehura.
“Tash është koha e hetimeve në gjithë këtë proces. Duke qenë se si Komunë, kemi Zyrën e Prokurimit ku është dashur të mbahen takimet për këtë proces, kjo zyre është anashkaluar tërësisht. Nuk mundet që për projekte të tilla kapitale, të vendoset me vizita në Zvicërr e me takime të fshehura”,
Haziri tha se ky është projekti me të cilin qytetarët e Gjilanit janë zhgënjyer nga kjo qeverisje, derisa konsiderojnë se Gjilani nuk ka kryetar.
“Politikanë që shkaktojnë pakënaqësi të tilla, si kjo me Stadiumin e Qytetit, që në matje ka dalur edhe si projekti numër 1, me të cilin qytetarët e Gjilanit janë zhgënjyer nga kjo qeverisje, ai politikan duhet ta mendojë mirë punën në atë zyre dhe rrogën që e merr. Momentalisht, ky administratori i Komunës, merr vetëm atë rrogë këtu, në çdo aspekt tjetër ai është dorëzuar. Gjilani s’ka kryetar”, tha Haziri.
Ai tutje ka theksuar se kryetari aktual në këtë mandat si cak ka pasur gratë dhe zonjat e partisë së tij, të cilat sipas LDK-së në momentet e para që kanë shpërthyer skandalet e Hysenit, ky i fundit i ka shkarkuar.
“Duke tentuar të gjej fajtorë brenda grupit të tij qeverisës, në mënyrë që ta shpëtojë vetën, ai cak në këtë mandat ka pasur gratë e zonjat e partisë së tij, të cilat në momentet e para që kanë shpërthyer skandalet e tij, i ka shkarkuar. Në pritje është edhe një drejtoreshë tjetër, por këto shkarkime nuk e amnistojnë”, përfundon Haziri. /Telegrafi/