Lazio thuhet se nuk e ka ndërmend të shesë mbrojtësin Francesco Acerbi, pavarësisht deklaratës së fundit të ultrasve të klubit.
Mbrojtësi 33-vjeçar italian u sulmua dje (e enjte) nga ultrasit e Lazios, të cilët lëshuan një deklaratë duke i thënë se nuk ishte më i mirëpritur në Romë pas sjelljes së tij të fundit.
Çështja fillestare buron nga festimi i tij me shenjën ‘shhh’ në fitoren 3-1 të ekipit ndaj Genoas javën e kaluar, për të cilën ai kërkoi falje më vonë në mediat sociale.
Më pas ai u akuzua se nuk falënderoi tifozët pas fitores ndaj Venezias.
Megjithatë, sipas mediumit Corriere dello Sport, Lazio nuk ka asnjë interes të shesë Acerbin, pavarësisht presionit nga ultrasit.
Caso #Acerbi, #Lotito non si farà condizionare dai tifosi ? https://t.co/qugN0cNUcM
— Corriere dello Sport (@CorSport) December 24, 2021
Presidenti Claudio Lotito, i cili vetë ka një marrëdhënie jo të mirë me disa elementë të tifozëve, nuk është i gatshëm të lërë vendimet e tij të kushtëzohen nga ultrasit dhe kështu nuk do ta shesë atë si pasojë e kësaj situate.
Acerbi konsiderohet si një pjesë thelbësore e skuadrës së trajnerit Maurizio Sarri, pavarësisht problemeve që ai të përshtatet me sistemin taktik, dhe kështu ai do të mbetet një pjesë qendrore e mbrojtjes këtë sezon. /Telegrafi/