Telegrafi

Lazio fton Vedat Muriqin për ndeshjen ndaj Sampdorias, ai mund të debutojë në Serie A këtë fundjavë

Lazio ka publikuar skuadrën që do të udhëtojë të luajë ndaj Sampdorias të shtunën nga ora 18:00, ku në mesin e të ftuarve është edhe Vedat Muriqi.

Serie A si shumë liga të tjera në Evropë rikthehet këtë fundjavë pas një pauze dy javore, ku u zhvilluan ndeshjet e kombëtareve në Ligën e Kombeve.

Të shtunën në program janë katër ndeshje të javës së gjashtë në Serie A, në mesin e tyre edhe Sampdoria – Lazio që fillon në ora 18:00.

Futbollisti nga Prizreni i cili u transferua këtë verë te skuadra kryeqytetase, është ftuar për takimin kundër Sampdorias.

Muriqi mund ta bëjë debutimin te Lazio në këtë ndeshje, pasi është stërvitur rregullisht këtë ditët e fundit.

Kujtojmë se Muriqi nuk ka marrë pjesë në grumbullimin e Kosovës për ndeshjet e muajit tetor, për shkak se fillimisht ishte i prekur me COVID-19 e pastaj për shkak të lëndimit. /Telegrafi/