Me rezultat 3-0, Lazio e ka fituar atë që njihet si Derby della Capitale kundër Romës, në ndeshjen e javës së 26-të në Serie A.
Rezultati u zhbllokua që në minutën e 12-të. Felipe Caicedo vrapoi për të pranuar një pasim të mrekullueshëm nga Joaquin Correa, e kaloi edhe portierin dhe shënoi.
Edin Dzeko pati një mundësi të mirë në vazhdim të pjesës së parë, mirëpo Thomas Strakosha reagoi për ta ndalur goditjen e tij.
Nuk pati gola të tjerë brenda 45 minutave të para dhe skuadrat shkuan në pushim me epërsinë e Bianconcelestëve që kishin epitetin e nikoqirit në këtë sfidë.
Pas një ndërhyrjeje të gabuar të Federico Fazios në pjesën e dytë, gjyqtari akordoi penallti. Ciro Immobile u tregua i saktë nga pika e bardhë për ta shënuar golin e sigurisë (73′).
Për ta thelluar akoma më shumë avantazhin u kujdes Danilo Cataldi (89′), i cili e shënoi edhe golin e tretë për vendasit.
Lazio është në vend të gjashtë në tabelë dhe me këtë fitore ngushton diferencën në tri pikë me Romën që pozicionohet një vend më lartë. Pozita e katërt (Inter) që dërgon në Ligën e Kampionëve është gjashtë pikë larg.
Në xhiron e ardhshme, Biancocelestët udhëtojnë te Fiorentina, ndërsa Giallorossët janë nikoqirë të Empolit. /Telegrafi/
https://www.youtube.com/watch?v=HV_ji2xCcSA
https://www.youtube.com/watch?v=nRn47gMSJac