Intervistoi: Dashnim Hebibi
Laureta, keni arritur që të bëheni një emër i respektuar kudo që paraqiteni. Mendoni se i keni realizuar planet tuaja?
Ambicia vazhdon pasi është diçka qe s’ndalet në karakterin tim, por besoj, kam realizuar shumë më tepër seç kam ëndërruar. Si një 20 vjeçare, pa zotërim të gjuhës angleze, pa asnjë ndihmesë, me pak të holla, e vetme në një vend si SHBA-të, arrita t’ia dal mbanë, të shkollohem me forcat e mia, të punësohem, të kalitem, integrohem, të realizoj ëndrrën time dhe, të jem një shembull i mirë për gjeneratën e re. Dëshiroj që rrëfimi im t’ju ndihmojë të gjithë atyre që kërkojnë një jetë më të mirë, atyre që kërkojnë një ëndërr, një shpresë.
Sa të vështirë e kishte Laureta që ta gjente veten në një vend të madh dhe të ëndërruar nga të gjithë?
Mjaft të vështirë dhe me shumë përpjekje, madje po këmbëngulja dhe guximi bën gjithçka të mundur. Shkoja për 6 muaj rresht tek Ambasada Amerikane dhe me refuzonin, po nuk hiqja dorë se besoja se një ditë do t’ia arrija qëllimit.
Ju keni ikur e vogël nga Kuçova, si e kujtoni fëmijërinë tuaj në atë qytet?
Kujtoj ditët më të bukura të jetës sime dhe një fëmijëri të bukur dhe të qetë. E kujtoj me nostalgjinë më të madhe.
Shquheni për shumë talent në disa fusha?
Për aktrimi, muzika, fotomodelizmi, janë unike dhe mundem të provoj veten dhe disa anë të karakterit tim në çdonjërën prej tyre. Performancën e kanë të përbashkët, por muzika ende mbetet dashuria ime e parë.
Jeni fytyra e produkteve të "American Culture", ku edhe keni mbaruar së incizuari këngën "Respekt me", keni qenë pjesë e videos së këngës së Moby "Lift me up", keni debutuar në filmin "Legacy of Sith", si dhe në filmin "Shadow Kill", ku luani rolin e një superluftëtareje. Prej nga e gjithë kjo energji?
Nga dëshira dhe dashuria për artin. Kur ëndërron diçka, punon, sakrifikon dhe të jepet oportuniteti të mundesh ta jetosh atë ëndërr, s’ndjen lodhje.
Flasim pak për eksperiencën tuaj në kinematografi…
Më duket sikur kanë kaluar dekada të tëra edhe pse disa vjet kanë kaluar është si, dejavu.
Po filmi fantastiko-shkencor hapi shumë rrugë dhe horizonte të reja. Gjithçka fillova me realizimin e disa fotove bardhë e zi (headshots), të cilat i dërgoja nëpër agjenci talentësh të ndryshme, pa e ditur se vërtet mundesh të merrja ‘response’. Dhe, kështu, filloi udhëtimi im…Një telefonatë dhe një audicion.
Si ju pritën në Amerikë gjatë studimeve?
Pasi mbarova kolegjin ‘Liberal arts’, u regjistrova edhe në një shkollë prestigjioze aktrimi në New York. Në kolegjin tim kishte mjaft diversitet, kështu që nuk e ndjeva veten dhe aq të huaj. Aty isha e mirëpritur dhe mësova për kultura dhe tradita të ndryshme si dhe për artin në tërësi.
Keni jetuar edhe në Greqi, a mund të na thoni realisht, se ku janë mundësitë më të mëdha për të arritur suksesin?
Talentët, besoj se fitojnë kudo që të jenë, më shumë këmbëngulje dhe sakrifica, por e vërteta është se nepotizmi, burokracitë, janë në nivelin maksimal në Evropë, prandaj mund të them se mundësitë më të mëdha janë në Perëndim.
Nëse do t’iu jepej rasti, me kënd do të doje të luash ndonjë film?
Johnny Depp.
Po nga artistët tanë?
Artistin e popullit, Robert Ndrenikën.
Do të kishe luajtur ndonjë film në Shqipëri apo Kosovë?
Me gjithë kënaqësi…para disa kohësh më ishte ofruar të luaja Donikën e Skënderbeut, në një projekt në Amerikë dhe në Kanada, por nuk e bë e mundur. Një rol i tillë do të ishte roli i jetës sime, do te ishte vërtet krenari.
Meqenëse tani duket se i përkisni artit amerikan dhe veçanërisht muzikës dhe aktrimit, e cili do të ishte vendi i juaj në këtë botë kaq të rëndësishme…
Unë jetoj ëndrrën time dhe sa për vendin tim në këtë botë të larmishme dhe të rëndësishme, besoj do t’ia lë kohës le të vendosi. Mund të them se është krenari të jem pjesë e artit amerikan, duke marrë parasysh rrethanat nga të cilat e kam filluar udhëtimin tim në botën e artit dhe nga perspektiva e një emigranteje artiste.
Kënga e fundit ‘Turn Around’, është mirëpritur nga publiku.
Kënga është mjaft ritmike dhe ka një tekst të bukur, të shkruar nga Brian Rund, të përfshira në të edhe disa fjalë shqip, që i japin nuancë këngës.
Kënga që fërshëlleni kur bëni dush?
Kënga ‘Kiss’ e Princit, sikurse tek filmi.
Jeni modele për shumë reklama, si, ‘American Culture’, ‘Kara Janx Fashion Collection’, ‘Angelic", ‘Gallery Piece’. Si ju shkojnë punët?
Kurrë më mirë, kam mjaft surpriza dhe plane që kërkoj t’i realizoj dhe t’i sjell në jetë.
Cila është marrëdhënia juaj me fotografinë?
Mirëkuptim në përsosmëri po mund të them kam marrëdhënie më të mira me kamerën. Kamerën e trajtoj si dashurinë e jetës sime!
Jeni ndjerë keq ndonjëherë gjatë realizimit të fotove?
Jam shumë konfidente në realizimet e fotove, me kameraman kam një raport të jashtëzakonshëm, është dashuria e jetës sime, e trajtoj si të jetë mashkulli më i pashëm në botë.
Do të kishe pozuar nudo nëse do të të jepet mundësia?
Nuk e besoj, e adhuroj çdo gjë të bukur, po kjo i kalon limitet e mia.
Sa ndihmon bukuria në karrierë?
Besoj se pamja e jashtme nuk ka pasur ndonjë domethënie, besoj jo më ndryshe se kudo tjetër. Pamja të mundëson kërkesat dhe ndoshta të hap dyer, por është shumë më tepër se aq që duhet të ketë dikush në kompleks. Besoj se kombinimi i bukurisë me inteligjencën me ambicien guximin, dhe më të rëndësishmen të qenit i një njeriu te formuar, ndihmon më tepër.
A po përjetoni tani një dashuri. Keni momentalisht një djalë pranë, me të cilin jeni e dashuruar?
Sigurisht, një njeri të veçantë dhe mjaft të arritur.
Ia ke falur zemrën në Kuçovë ndonjë çunit?
Eh …jo.
Të kujtohet puthja e parë?
A mund të harrohet puthja e parë?
A do të bëheshe nuse e Kosovës?
Do ndiqja zemrën, gjithsesi…
Çfarë duhet të ketë një djalë që të jetë me Lauretën?
Një njeri që kërkon mjaft nga vetja, serioz, inteligjent, fisnik, i sinqerte, me sens humori dhe i të njëjtit kalibër.
Çka do të kishe ndryshuar tek vetja, nëse do ta kishe këtë mundësi?
Inatin, pasi nuk më del kollaj, kurse fizikisht asgjë. Jam e lumtur me gjithçka që më ka dhuruar Zoti.
Sigurisht se keni plane gjatë këtij viti, na thoni, cili është plani primar që do ta realizonit?
Kam mjaft surpriza, por më mirë pa plane. Kam ndërmend të hap një linjë produkti golfi me emrin tim.
Do ta vizitonit Kosovën?
Me gjithë dëshirën time, dua të vizitoj gjithë trevat shqiptare.
/Telegrafi/