Pas rënies së presidentit sirian, Bashar al-Assadit, Izraeli ka mbrojtur marrjen nën kontroll të pjesës siriane të Lartësive Golan.
Sipas analistit ushtarak, gjeneralmajor Chip Chapman, i cili foli për skynews, Lartësitë Golan janë një “lartësi dominuese” dhe “është gjithmonë një parim ushtarak që të mbash terrenin e lartë”.
Ai shton se “ky është një terren jetik për izraelitët”.
Gjeneralmajori thekson se aktualisht pjesa lindore e Golanit është një “zonë ndarjeje”, e cila tani është e kontrolluar nga izraelitët.
“Nga një këndvështrim ushtarak, izraelitët do të argumentonin se kjo është një planifikim i kujdesshëm ushtarak, sepse një aktor jo-shtetëror mund të shfrytëzojë atë vakum. Por, kjo nuk është diçka që duhet ta bëjnë në mënyrë të përhershme”, pohoi analisti ushtarak.
Në lidhje me shqetësimet për një ringjallje të grupit terrorist Shteti Islamik (IS) pas rënies së Assadit, Chapman thekson se “ISIS nuk është më forca që ka qenë dikur”.
Ai përmend se para sulmeve ajrore të mëdha amerikane, ISIS kishte rreth 2500 anëtarë në të gjithë Sirinë dhe Irakun, ndërsa tani një nga objektivat e tyre kryesore është organizimi i arratisjeve nga burgjet ku mbahen 9000 të burgosur të ISIS-it. Megjithatë, përfundon ai, situata nuk është aq e keqe sa më parë. /Telegrafi/