Site icon Telegrafi

Largimi i punëtorëve nga puna, Sindikata e minatorëve: Shumica prej tyre kanë dhënë dorëheqje më parë

Foto: Arkiv

Sindikata e Pavaruar e Minatorëve të Trepçës ka reaguar lidhur me largimin e disa punëtorëve të “Trepçës” nga puna.

Përmes një njoftimi, Sindikata ka thënë se shumica e minatorëve të apostrofuar me iniciale janë minatorë që kohë më parë kanë dhënë dorëheqjen e tyre nga puna, e një pjesë tjetër për shkak të procedurave penale që janë iniciuar kundrejt tyre, shkruan Telegrafi.

Sindikata ka thënë se ndërprerja e marrëdhënies së punës së disa punëtorëve nuk është ndonjë “hakmarrje” ndaj shprehjes së pakënaqësive të minatorëve.

“Menaxhmenti thjeshtë e ka zyrtarizuar dorëheqjen e atyre, të cilët veç se janë larguar me dëshirën e tyre nga ndërmarrja, qoftë duke emigruar apo punësimit të tyre diku tjetër, apo edhe ka zbatuar procedurat ligjore për personat që janë në ndjekje penale”, thuhet në njoftim.

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës është shprehur se vazhdimisht përcjellë për së afërmi secilin hap të ndërmarrë nga institucioni në raport me secilin minatorë dhe të drejtat e tyre.

“Sindikata gjatë angazhimit të saj pa kurrfarë kompromisi afirmon dhe mbron të drejtat e ligjshme të secilit minatorë dhe do t’i përdor çdoherë e në çdo kohë të gjithë mekanizmat ligjor për mbrojtjen e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje në njoftimin e Sindikatës thuhet se ajo vazhdon të qëndrojë parimore dhe e arsyeshme duke e kuptuar rolin dhe rëndësinë që ka menaxhmenti në ndërmarrje.

Kujtojmë që ndërmarrja publike “Trepça” sot ka larguar përkohësisht nga puna tre punëtorë. Ndërsa dje largoi një punëtor, derisa të martën ka larguar nga puna gjithsej shtatë punëtorë. Sipas njoftimit të lëshuar nga ndërmarrja, ky veprim vjen sepse të njëjtit kanë shkelur rëndë detyrat e punës./Telegrafi/

Exit mobile version