“Shumë falënderime për të gjithë ju që jeni këtu”, ka filluar Xavi.
“Fillimisht, dua ta falënderoj çdo tifoz të Barcelonës dhe të gjithë që më kanë dhënë kaq shumë dashuri së fundmi. Jam shumë falënderues ndaj të gjithëve që më kanë kërkuar që të qëndroj, ndaj të gjithë atyre që e thërrisnin emrin tim në Camp Nou, dhe ndaj të gjithë atyre që më falënderuan, por personi që duhet të jetë më falënderuesi jam unë”.
“Faleminderit Barcelonë. Kam qenë këtu për gati 25 vite prej se isha 11 vjeçar, nga Terrasa, si fëmijë që ëndërroja të bëhem futbollist. As në ëndrrat e mija më të çmendura nuk kam mundur të imagjinoj këtë që e kam përjetuar këtu te Barca. Kam qenë dhe jam jashtëzakonisht i lumtur”.
“Unë kam vetëm fjalë falënderuese për të gjithë trajnerët që i kam pasur në akademinë e të rinjve. Prej të parëve, si Asensi apo Manolo Lobo, deri te i fundit që e pata te Barca B, Josep Maria Gonzalvo”.
“Kam pasur fat që të punoj këtu me Joan Vilan. Joan, unë jam ky që jam falë teje. Të falënderoj shumë. Kurrë nuk mund ta rikthej atë që ti ke bërë për mua. Ju ishit personi kyç në zhvillimin tim. Ju më keni mësuar gjithçka, keni ndryshuar mënyrën se si luaj, dhe më keni ndihmuar ta kuptoj lojën. Para se të stërvitesha me ty, unë jam kënaqur dhe kam kaluar mirë, por t’i m’i ke mësuar të gjitha konceptet që i kam sot”.
“Këtu jam bërë futbollist, por edhe person gjithashtu. Titujt dhe mirënjohjet janë asgjë në krahasim me buzëqeshjet dhe shokët, ata janë gjëja më e bukur që do ta marr nga këto vite”.
“Jam rritur në Quinta del Troya, me David Prats, Piveti, Antoni Hidalgo dhe Toni Lobo. Me ata e kam ndarë fëmijërinë time dhe 20 vite me vonë, ne ende jemi shokë”.
“I falënderoj edhe të gjithë presidentët që i kam pasur. Nunez, Gaspart, Laporta, Rosell dhe Bartomeu, ju të gjithë keni qenë të mirë me mua dhe mund të them se kam pasur marrëdhënie të mira me të gjithë”
“Si dhe, me trajnerët e mi, duke përfshirë këtu edhe ata të cilët ishin këtu shkurtazi, sikur Radomir Antic, Serra Ferrer, Carles Rexach dhe Tata Martino. Dua ta falënderoj edhe Louis Van Gaal për besimin e tij në mua. Dua ta falënderoj Frank Rijkaardin, i cili më tha se duhet të bëhem idhull. Dua ta falënderoj Pep Guardiolan, një idhull për mua kur ishte lojtar dhe më vonë si trajner. Faleminderit Tito Vilanova, ju ishit si një baba i futbollit për mua. Gjithmonë do të mbaj në zemrën time”.
“Falënderoj Luis Enriquen dhe Andoni Zubizarretan, të cilët më bindën që të mos largohem vitin e kaluar. Jam me fat që nuk e bëra këtë, sepse tani do t’i shkulja flokët e mi”.
“Kam jetuar një gjysmë jete në Camp Nou dhe kam pasur fat ta ndaj me sportistët më të mëdhenj dhe njerëzit më të mëdhenj. Mund të kaloj orë duke dhënë falënderime për të gjithë bashkëlojtarët e mi me të cilët e kam ndarë dhomën e zhveshjes, duke filluar nga bashkëlojtarët e mi aktualë, dhe duke vazhduar me shokët e mëdhenj që kam bërë”.
“Më duhet të falënderoj edhe njerëzit tjerë, si Angel Mur, Txema Corbella, Alejandro Echevarria, Pepe Costa, Doctor Pruna, dhe shumë të tjerë. Të gjithë në dhomën e zhveshjeve janë të çmendur”.
“Edhe pse tashmë i kam thënë lamtumirë kombëtares, dua të them një mendim të veçantë për njerëzit nga La Roja, ku jam rritur dhe zhvilluar nga një fëmijë i vogël. Një përmendje e veçantë për kujtimin e Luis Aragones. Zotëri, kudo që je, ju e dini se asnjëherë nuk mund të ju falënderoj aq shumë për të gjithçka që keni bërë për mua. Falendeëroj edhe S’Agaro Group, dhe miqtë tjerë”.
“Falënderoj vëllezërit e mi, ju jeni jeta ime. Nëse jam këtu që jam, është falë juve. Shumë faleminderit”.
“Faleminderit baba për këshillën tënde. Nuk e di se çfarë do të bëja pa të. Faleminderit nënë, pa ty unë do të largohesha nga Barcelona vite më parë dhe sot nuk do të ishim këtu. Faleminderit që besove në mua, gjithmonë”.
“Për fund, e falënderoj edhe Nurian (gruaja e tij), personi më i rëndësishëm në jetën time. Ne të dy do të largohemi në Katar, por së shpejti do bëhemi tre. Edhe pse nuk e dimë emrin ende, apo gjininë e fëmijës, ne e dimë se do të jemi tre Cules në Katar”.
“Dhe, për t’u rikthyer në fillim. Faleminderit Barcelonë. Do të jem përjetësisht falënderues për gjithçka që më ke dhënë mua. Para se të shkoj, shpresoj që ta ngriti edhe një trofe të shtunën në Berlin. Shpresoj që kjo nuk do të jetë një lamtumirë, por një ‘shihemi së shpejti’”
"Jetë të gjatë Barca, jetë të gjatë Katalunia”, ka thënë për fund Xavi. /Telegrafi/