Site icon Telegrafi

Lamtumira e një legjende nga Barcelona

Ylli spanjoll edhe zyrtarisht në një konferencë për shtyp, tregoi vendimin e tij për tu larguar nga Barcelona në fund të këtij stinori.

Debutimi i tij erdhi në vitin 1998 në ndeshje miqësore ndaj skuadrës angleze Southampton më 12 maj, ndërsa ndeshja e parë zyrtare do të vinte në një ngjarje të madhe.

Ishte 18 gushti i vitit 1998, kur në finalen e Superkupës së Spanjës, Xavi bëri debutimin e tij me skuadrën e parë të Barcelonës ndaj Mallorcës, për të shënuar edhe gol dhe për ta fituar trofeun e parë.

Që nga ajo ditë, të gjithë në Kataluni e dinin se kishin në radhët e veta një xhevahir që duhet ta ruanin mirë për të ardhmen e ndritur të klubit.

Spanjolli 35-vjeçar ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm në futboll, përveç UEFA Cup apo Ligës së Evropës, trofe që i mungon për arsyeje se Barcelona pothuajse gjithmonë ka qenë pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve.

17 vite të kaluara në Barcelonë për Xavin kanë qenë me plot suksese, me gola të shumtë e asistime por edhe me trofe.

Xavi njihet edhe si lojtar tejet ferr dhe korrekt, pasi asnjëherë gjatë karrierës së tij 17 vjeçare si futbollist i Barcelonës nuk është ndëshkuar me karton të kuq direkt, por i ka ndodhur vetëm në dy ndeshje që të përjashtohet pas dy të verdhëve.

Gjatë karrierës së tij të bujshme si lojtar i Barcelonës, Xavi ka fituar tetë herë titullin në La Liga, dy herë Kupën e Mbretit, gjashtë herë superkupën spanjolle, tri Liga të Kampionëve, tri Kupa të Botës për klube dhe dy superkupa të Evropës.

Ndërsa sa i përket Kombëtares spanjolle, Xavi ka triumfuar në dy kampionate evropiane dhe në një Kupë të Botës.

Ai karrierën tani do ta vazhdoj në Katar, tek skuadra Al Sadd, por gjithmonë do të mbetet në kujtesë të Barcelonës dhe tifozëve të saj, si njeri që historinë e klubit e pasuroi me 25 tituj të ndryshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version