Javën e shkuar bëri mjaft bujë lajmi që sulmuesit danez të Nice, Kasper Dolberg i ishte vjedhur një orë dore me vlerë 70 mijë euro, brenda në dhomat e zhveshjes së klubit francez.
Kjo kishte ndodhur kur futbollisti ishte në stërvitje.
Por edhe më i bujshëm ishte lajmi se danezi kishte bërë denoncim në polici dhe se hetimet e tyre zbuluan nga një kamera në ambientet e klubit, se autori i vjedhjes ishte shoku i skuadrës, talenti francez me origjinë nga Guinea, Mohamed Lamine Diaby – Fadiga.
Ky i fundit pranoi se kishte kryer gjestin e turpshëm, i kërkoi falje sulmuesit Dolberg dhe i premtoi kompensimin për çmimin e orës, me qëllim që danezi të tërheqë denoncimin nga rajoni policor, pasi rrezikonte një dënim të rëndë.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i klubit të Nice, që vendosi t’i prishë menjëherë kontratën 18-vjeçarit.
Fadiga shihej si një nga të rinjtë më premtues në qarkullim, ndërsa mësohet se do t’i bashkohet FC Paris në Ligën e dytë franceze, klub ku luan një emër i njohur si Jeremy Menez. /Telegrafi/