Intervistoi: Vera Pelaj
Natasha Lako lindi në vitin 1948, në qytetin e Korçës. Është poete, noveliste, skenariste e disa filmave dhe përkthyese e disa librave nga letërsia botërore në gjuhën shqipe. Natasha Lako, është prezantuesja e parë e gjeneratës së grave shkrimtare, në Shqipëri. Poezitë e saj janë të përfshira në disa antologji. Ka të botuara disa vëllim e poetike, si: "Marsi brenda nesh ", "E para fjalë e botës ", "Këmisha e pranverës ". "Yllësia e fjalëve ", "Natyrë e qetë", "Thesi me pëllumba ". "Lëkura e ujit ", novelën "Stinët e jetës", etj. Poezia e saj është përkthyer në disa gjuhë të botës si në gjermanisht, frëngjisht, holandisht etj. Ajo ka punuar për studion e filmit në Tiranë "Shqipëria e re ".
Zonja Natasha, ju jeni lindur në Korçë, keni kaluar aty fëmijërinë e cila ka lënë gjurmë të thella në jetën dhe krijimtarinë tuaj. A ka qenë pikërisht qyteti juaj, frymëzimi dhe arti i të shkruarit?
Patjetër. Besoj se jo vetëm për mua, por për çdo shkrimtar, qyteti i lindjes është edhe qyteti ku lind krijimtaria. Unë kam filluar të shkruaj shumë e re. Jo vetëm të shkruaj, por edhe të botoj. Për herë të parë kam botuar në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare në gazetë dhe domosdo, ishte një lindje tjetër për mua. Ishte një guxim shumë i madh dhe këtë guxim, ma ka dhënë qyteti im.
A keni arritur ta shprehni realisht në krijimtarinë tuaj, jetën tuaj si grua poete?
Unë kam diçka që ndoshta e ndjej. Çdo poezi e kam nisur nga diçka konkrete, nga një ngjarje konkrete, nga një vend konkret. Nuk kam pasur ndonjëherë ndonjë poezi që të përjashtojë përjetimin tim konkret, kështu që vetvetiu aty brenda është vetë jeta ime, ndjenjat e mia, përshtypjet e mia. Unë i përkas një brezi që nuk e ndan dot jetën e vet nga jeta e popullit të vet, sepse është diçka magjike që të bashkosh veten me jetën e popullit. Një filozof ka thënë me shumë të drejtë se: "Mendimi është i barabartë me të vërtetën". Është diçka shumë e bukur që poezia të ketë brenda këtë të vërtetë dhe kjo e vërtetë është vetë jeta e secilit, është jeta ime.
Keni merita se keni vendosur gurë të qëndrueshëm në themelet poetike të letërsisë, kështu ju ka quajtur Rexhep Qosja në një antologji të tij. Çfarë do të na thoni për letërsinë sot?
Mendoj që letërsia jonë shqipe është në një fazë të atillë, në një çliruese të energjive. Shumë njerëz presin më shumë, sepse i ngatërrojnë nganjëherë periudhat historike me periudhat letrare. Nuk është e mundur që të shkojnë paralelisht. Mund të ketë periudha të çuditshme, që do të thosha "të errëta", kur kanë nxjerrë një personalitet të madh letrar dhe mund të jetë e kundërta. Pra, nuk ka ndonjë paralele në mes të periudhave letrare dhe periudhave historike. Te ne letërsia është ajo qe shpreh dhe ndërton atë që ne mendojmë sot dhe atë që ndjejmë. Atë shqetësim, atë diapazon që e ka njeriu i sotëm. Dhe këtu, në këtë pikë, mendoj se letërsia shqipe ecën krahas letërsive të tjera. Nuk dua të përmend emra dhe zëra të mrekullueshëm të letërsisë shqipe.
Poezia juaj është përkthyer në disa gjuhë, njëkohësisht është përfshirë edhe në disa antologji. Sa ka ndikuar kritika letrare në këtë drejtim?
Unë kam filluar të shkruaj poezi shumë herët, pra isha shumë e re dhe jam befasuar kur kam pasur poezi të përkthyera në gjermanisht, frëngjisht, holandisht, Kam marrë pjesë edhe në shumë takime ndërkombëtare, ku kam shprehur edhe atë lidhjen e poezisë me gjuhën shqipe. Me këto gjuhë të ndryshme të njerëzimit, është shumë bukur ta shohësh veprën tënde, sidomos poezinë që ka ritëm, ka muzikalitet, si tingëllon në një gjuhë tjetër. Vërtet është diçka e bukur, por më e bukur është për mua, kur jam radhitur në disa antologji poetike me poetet më të njohura të botës. E kam parë emrin tim në disa antologji, jo për nga rëndësia, por për nga përfaqësimi, krahas emrave si Emili Dikinsoni që nga Safo e deri te poetet e ditëve të sotme. Unë do të them, që ka filluar kritika të ndikojë në këtë peshim të vlerave. Unë falënderoj shumë kritikën kosovare, sepse për mua ka shkruar herë pas here dhe shkrimtari e poeti si fëmijë, nga kritika ndihmohet shumë sepse, i duket se përmbush një mision komunikimi dhe i duket se vërtet ia ka arritur këtij misioni të komunikimit. Ka ardhur momenti që kritika të botohet më shumë në shtypin e ditës, në gazetat më serioze të ditës dhe në radio, të ketë sa më shumë emisione dhe botime të kritikës.
Ku e shihni femrën krijuese shqiptare në trevat shqipfolëse?
Ajo që të gëzon pa masë është që janë shtuar penat nga femrat shqiptare. Ky është një fenomen. Është një arritje e letërsisë shqipe. Ajo që të gëzon shumë gjithashtu është se kjo penë e femrës shqiptare shfaqet në të gjitha trevat shqipfolëse. Ajo që më pëlqen më shumë mua si grua dhe si shkrimtare, ajo që kam pasur dëshirën time më të madhe, është që gruaja të shprehë veten e saj, të komunikojë me njeriun dhe me forcën e vet artistike. Ajo që më pëlqen më tepër, dua ta theksoj, është se femra shqiptare ka zënë një pozicion mjaft të rëndësishëm në medie dhe e ka bërë logjikën e gruas dhe veprimin e saj, mjaft të nevojshëm në media. Por edhe në letërsi mendoj se ka poete, veçanërisht shumë të mira.
Ju nuk njiheni vetëm si shkrimtare, por edhe si skenariste e disa filmave. Ku e shihni veten më të suksesshme?
Kjo është një pyetje që disa herë ia bëj edhe vetes. Unë them se edhe skenari edhe poezia, më kanë ndihmuar shumë por, duhet të them diçka sepse nganjëherë dëgjuesi ose lexuesi, nuk mund t’i dijë disa sekrete të vogla të krijuesit, e në këtë rast, për mua. Kur kam botuar vëllimin e parë "Marsi brenda nesh", ka qenë viti 1972. Kam ndjerë një mikpritje të madhe dhe një dashamirësi nga lexuesi, sa mund të them tani se, ndoshta e them edhe me më guxim, ndoshta kam bërë që me mua të bien në dashuri djemtë më të bukur. E kam fjalën më të bukur në shpirt, nuk po flas për djemtë e bukur vetëm fizikisht. Pra, ishte një pritje shumë e mirë. Gjithashtu, disa vjet më vonë kam dhënë për xhirime një skenar të filmit "Mësonjëtorja", të shkollës së parë shqipe të vajzave në Korçë. Edhe ai është pritur në mënyrë të shkëlqyeshme. Tani, çdo herë që e mendoj këtë sukses të poezisë time dhe të skenarit, por mendoj që janë dy gjëra të ndryshme që e kompensojnë njëra-tjetrën. Atje ku nuk thuhet dot diçka aq plotësisht me figurë, unë kam poezinë. Atje ku nuk thuhet dot me atë lidhje të brendshme të fantazisë të lidhur me idenë, atëherë nga poezia kthehem në skenar.
Cila është jeta juaj e përditshme?
Unë si çdo qytetare dhe femër tjetër, e kam menduar veten në përditshmërinë time njeri shumë të ngarkuar, shumë të zënë me punë dhe kjo më ka pëlqyer shumë gjithnjë. Në këtë përditshmëri, më kanë pëlqyer edhe udhëtimet. Unë kam frikë nga monotonia. Por mua më pëlqen edhe jeta aktive shoqërore. Unë kam qenë dy herë në parlamentin e parë shqiptar.
Ku qëndron sekreti i shkrimeve tuaja?
Lexuesi im, i cili më duket se më ka krijuar mua. Por, njeriu kur shkruan nuk e mendon lexuesin. Shkruan dhe përpiqet që të shkruajë, të jetë vetja. Herë pas here i kthehem librit dhe më ka ndodhur ndonjëherë që t’i lexoj poezitë e mia kur nuk kam shumë forcë, se njeriu ka nganjëherë edhe momente depresive, t’i them vetes ndal, prit se i kam krijuar unë këto dhe i paskam krijuar shumë bukur. Më duket sikur në këtë rast edhe lexuesi më rilind vazhdimisht dhe mendoj se tani jam në fazën më të mirë të jetës sime kur unë kam, veçanërisht në prozë, shumë për të shkruar.
A keni për të thënë diçka tjetër?
Të mos kemi turp, t’i themi ato që ndjejmë thellë dhe kur them të mos kemi turp, mendoj në atë se të mos kemi turp t’u therni njerëzve çdo ditë edhe lexuesit, edhe dëgjuesit edhe juve personalisht, që e duam shumë njeriun. Sepse, po të duash, nuk ka gjë më të bukur sesa të komunikosh dhe nganjëherë na mungon jo vetëm komunikimi me letërsinë por, nganjëherë e harrojmë edhe atë komunikimin e vogël të përditshëm, sepse kemi probleme, kemi shumë punë. Ne duhet të përpiqemi çdo minutë ta hapim zemrën para fëmijës, ta hapë fëmija zemrën para nesh. Ta hapë zemrën vëllai, ta hapë zemrën motra, t’ia hapë zemrën njeriu- njeriut. Përmes kësaj forme, ta duam më shumë siç e duam në thellësi, ta shprehim këtë dashuri, të mos e mbajmë atje të futur diku, sepse ne patjetër e kemi këtë si sekret të brendshëm andaj, ne duhet ta shprehim sa më shumë dashurinë.
/Telegrafi/