Reciprokimi i Kosovës ndaj ndalimit të eksporteve të saj nga Serbia mund të çojë në humbje të pariparueshme ekonomike për këtë të fundit. Edhe nëse u rikthehet qasja në tregun kosovar, prodhimet serbe mund të mos rimarrin hapin, kur të jenë zëvendësuar nga zgjedhje vendore dhe të importuara nga vende të tjera.
Në përpjekje për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, Beogradi mori një vendim të guximshëm më 2008: shkeli detyrimet ndaj marrëveshjes për tregti të lirë dhe ndaloi të gjitha prodhimet kosovare. Lëvizja, megjithatë, nuk pati ndikim madhor ekonomik për Serbinë, meqë fqinji i saj i ri kishte pak mallra për të eksportuar.
Beogradi vendosi embargon duke kujtuar se eksportet e tij në Kosovë nuk do të pengoheshin. Por, ndërsa pala serbe u tërhoq nga bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja, me qëllim të normalizimit të tregtisë mes tjera çështjesh, qeveria kosovare u kundërpërgjigj me masa të ndërsjella, ndonëse me një vonesë prej tre vitesh.
Prodhimi vendor në Kosovë është rritur për 40%, thonë drejtuesit e biznesit, ndërsa doganat lajmërojnë për një rritje të importit nga Shqipëria, Maqedonia, Turqia e shtete të tjera fqinje. Sipërmarrës nga rajoni po ashtu kanë ardhur në Kosovë për t’u njohur me mundësitë që ofron tregu.
Gjendja politike në vend mbetet e tensionuar, meqë Serbia vazhdon të sponsorojë struktura ilegale me qëllim për të zhvatur sovranitetin e Kosovës. Por mbetet shpresë se bisedimet mund të rifillojnë dhe të dy vendet të kërkojnë zgjidhje për mosmarrëveshjen tregtare përmes dialogut.
Sidoqoftë, mund të jetë tepër vonë për Serbinë që të rimëkëmbet në tregun kosovar atëherë, edhe nëse garantohet sërish qasje e lirë dhe e plotë në treg. Mallrat serbe gjithmonë kanë pasur konsum të gjerë në Kosovë, por kur të jenë zëvendësuar nga alternativat vendore e rajonale, mund të jetë e vështirë për to që të rimarrin epërsinë në tregun kosovar.
Ndërthurja e drejtimit të mbrapshtë të ekonomisë dhe nacionalizmit shkatërrimtar nuk janë të panjohura për Serbinë, politikat qeveritare të së cilës kanë dëmtuar mirëqenien e vendit gjatë gjithë historisë moderne. Mes viteve 1880 e 1910, siç kujtojnë autorët serbe, borxhi kombëtar u stërmadhua për 2197 %, duke çuar në përfshirjen e qeverisë në luftëra të kushtueshme agresioni si mënyrë e vetme për të nxjerrë vendin nga kriza financiare.
Regjimi monarkik i mes dy luftërave botërore nuk solli ndonjë përmirësim. Dinastia e Karadjordjevicëve shtypi liritë politike e ekonomike të joserbëve, lejoi vendin të varej financiarisht nga fuqitë e boshtit (Gjermaninë naziste e Italinë e Mussolinit).
Në vitet ’90, klika e korruptuar e Milosevicit arriti përfitime personale marramendëse përmes një hiperinflacioni të paprecedent, ndërsa shpenzimet masive ushtarake për zhvillimin e katër luftërave, si dhe bombardimet e NATO-s lanë një vragë të thellë në ekonominë e Serbisë. Këto megjithatë kanë mundur të shmangen, ashtu siç mund të mënjanonte Beogradi edhe politikën armiqësore ndaj Kosovës, që sot po i sjell humbje të reja ekonomike.
Në anën tjetër, ndalimi i ndërsjellë i mallrave do ta lirojë Kosovën nga varësia ekonomike në një shtet që nuk pranon ta njohë pavarësinë politike të saj. Në të njëjtën kohë, Prishtina është e vendosur t’u japë fund organizatave të paligjshme të mbështetura nga Beogradi, të cilat kanë penguar sundimin e ligjit në Kosovë.
Prandaj, vendimi i Beogradit për të vendosur embargo ndaj fqinjit jugor nuk gjen mbështetje nga pikëpamja ekonomike, por përfitimet politike mund të arrihen. Politika e Serbisë ndaj Kosovës do të ndeshet me dështim fatal, çfarë shpresojmë të shpie drejt rrethanave të reja, në të cilat dy vendet të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme e miqësore, duke përfshirë edhe tregtinë e lirë.