Pas ndalimit të lojërave si PUBG Mobile, Mobile Legends: Bang Bang dhe Arena of Valor, qeveria indiane ka bllokuar një tjetër lojë të njohur.
Bëhet fjalë për video-lojën për telefona mobil “Garena Free Fire”.
Pasi u hoq nga Appstore i Apple dhe Google Play Store në Indi me datë 12 shkurt, thuhet se Free Fire është ndaluar së bashku me 53 aplikacione të tjera nga qeveria e vendit.
Sipas kanalit të lajmeve “ET NOW”, Free Fire është bllokuar së bashku me disa lojëra të tjera si Onmyoji Arena, Onmyoji Chess, Rise of Kingdoms: Lost Crusade dhe më shumë.
Por, mundësia që të ndalohet edhe nga vendet tjera është e madhe, pasi që kompania e video-lojërave Koreano-jugore “Krafton”, së fundmi ka ngritur një padi kundër kompanisë “Garena” me bazë në Singapor.
Në padi, “Krafton” thotë se “Garena” ka kopjuar disa aspekte të video-lojës “Pubg Mobile”, duke përfshirë strukturën dhe ndjenjën e lojës. /Telegrafi/