Site icon Telegrafi

Kuvendi i Prizrenit harmonizon vendimin për Parkun e Biznesit sipas kërkesës së MMPHI-së

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë miratuar vendimin për plotësimin e Planit Rregullues të Hollësishëm për “Zonën e Parkut për Industri të Lehtë në Prizren – Parkun e Biznesit” bazuar në Hartën Zonale sipas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Në seancën e fundit të organit më të lartë vendimmarrës lokal është theksuar se MMPHI ka kërkuar që në kuadër të vendimit të KK-së së Prizrenit, të miratuar në seancën e mbajtur më 13 nëntor 2024, të respektohen edhe dispozitat e Udhëzimit Administrativ 5/2014 të MMPHI-së, raporton Telegrafi.

“Faktikisht disa herë i kemi kaluar të gjitha fazat për Planin Rregullues të Hollësishëm për Zonën Ekonomike, mirëpo MMPHI-ja ka pas një kërkesë që të respektohet Udhëzimi Administrativ 5/2014 përkatësisht neni 12, ku thuhet se duhet të futet ose të kompletohet Raporti i shqyrtimit publik. Prandaj në bazë të kërkesës së ministrisë, dhe ju e keni edhe propozim vendimin, ku në preambulë thuhet sipas kërkesës së MMPHI-së duhet të plotësohet dhe të bëhet pjesë e këtij vendimi Raporti i shqyrtimit publik”, ka thënë drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Pranverim Berisha.

Në të njëjtën kohë ka kërkuar që kuvendarët e pranishëm ta votojnë plotësimin e vendimit.

“Kërkesën e MMPHI duhet ta respektojmë dhe nga ju kërkoj mbështetjen me votë që ta kryejmë edhe këtë formalitet”, ka deklaruar Berisha.

Pas prezantimit të tij nuk ka pasur diskutime tjera dhe kryesuesja Antigona Berisha-Bytyqi ka hapur votimin, me ç’rast ka konstatuar se nga 21 anëtarët e pranishëm, 20 kanë votuar për dhe një ka abstenuar, raporton Telegrafi.

Planit Rregullues i Hollësishëm për “Zonën e Parkut për Industri të Lehtë në Prizren – Parkun e Biznesit” bazuar në Hartën Zonale është votuar fillimisht në seancën e muajit të shkuar.

Disa muaj më parë, Drejtori i Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Ramadan Tarashaj pat theksuar se deri në fund të vitit do të plotësohen kërkesat ligjore lidhur me Parkun e Biznesit dhe nga janari i vitit 2025 do të nis vendosja e bizneseve prodhuese në këtë hapësirë.

Procesi i krijimit të Zonës Ekonomike në Prizren pati filluar para më shumë se një dekade dhe që nga ajo kohë Parku i Biznesit nuk është funksionalizuar. Ndërkohë Komuna përgjatë disa mandateve në këtë hapësirë ka investuar mjete të konsiderueshme financiare nga buxheti i saj. /Telegrafi/

 

Exit mobile version