Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 93 vota për dhe as një kundër kanë miratuar marrëveshjen e bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri në Fushën e energjetikes.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, duke prezantuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, për shkëmbimin dhe ndarjen e rezervës rregulluese ndërmjet operatorit të sistemit të transmetimit OST dhe KOSTT-it, ka thënë se me këtë do të rritet siguria në energjinë elektrike.
Ai tha se ky projektligj përkufizon saktë bashkëpunimin në mes Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, ku objektivi kryesor është krijimi i zonës rregulluese dhe integrimi në mekanizmin regjional, i cili do të ndikonte në realizimin e tregtisë ndërkufitare, duke rritur kështu likuiditetin e tregut të energjisë elektrike.
“Me këtë pritet të rritet siguria e energjisë elektrike në përmbushjen e direktivave të BE-së”, tha Stavileci.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka thënë se komisioni e ka shqyrtuar ketë marrëveshje dhe i rekomandon Kuvendit që të miratojë, e cila i kontribuon stabilizimit të dyja sistemeve energjetike si dhe rrit edhe furnizimin me energji elektrike.
Sipas tij, qeveritë e të dyja vendeve duhet të marrin masa që Serbia mos ta pengojë KOSTT-in. /Telegrafi/