Telegrafi

Kuvendi Komunal i Pejës miraton Strategjinë kundër dhunës në familje dhe Planin e Veprimit

Kuvendi i Pejës/ Screenshot Youtube

Me 31 vota pro, Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar Strategjinë Komunale Kundër Dhunës në Familje dhe Planin e Veprimit për Parandalimin e Dhunës në Familje për periudhën 2024-2027. Ky vendim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të parandaluar dhe luftuar dhunën në familje.

Komuna e Pejës këtë plan veprimi dhe strategjie e kanë ndërmarrë me qëllim të parandalimit të dhunës në familje dhe rritjen e vetëdijes për fenomene të tilla, e gjithashtu edhe të përforcoj mekanizmat për reagim ndaj këtyre dukurive:

-Të parandalojnë dhunën në familje dhe të ngritin vetëdijen e komunitetit për aspektet negative të këtij fenomeni.

-Përmirësojnë dhe ndërtojnë sistemin e grumbullimit dhe shkëmbimit të dhënave mes akterëve relevantë.

-Fuqizojnë mekanizmat për reagim sa më të shpejtë ndaj rasteve të dhunës në familje dhe të përmirësojnë koordinimin mes anëtarëve të grupit të menaxhimit të rasteve.

-Bëjnë avokim dhe monitorim të zbatimit të politikave, si dhe të sugjerojnë ndryshime bazuar në përvojat më të mira nga terreni.

Kjo strategji u tha se përfshin masa konkrete dhe të koordinuara për të mbrojtur viktimat e dhunës dhe për të ndëshkuar autorët si dhe synohet të krijohet një mjedis më i sigurt dhe mbështetës për të gjithë qytetarët e Pejës.

“Miratimi i kësaj strategjie është një tregues i qartë i përkushtimit në luftën kundër dhunës në familje dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të këtij qyteti”, thuhet tutje. /Telegrafi/