Kryesuesi i Kuvendit Komunal në Gjilan, Kushtrim Kadriu, ka bërë të ditur se bazuar në statistikat e vitit 2023 nga Agjencia Evropiane e Mjedisit, Gjilani renditet si komuna e dytë më e ndotur në Kosovë.
Si përgjigje ndaj kësaj situate alarmante, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal është vendosur krijimi i një komisioni komunal, i cili do të hartojë një strategji për përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytet.
Në një video-mesazh, Kadriu ka theksuar se ndotja e ajrit në Gjilan vazhdon të mbetet e rëndë dhe e pandryshuar, prandaj themelimi i këtij komisioni ishte një hap i domosdoshëm.
“Përmes kësaj strategjie, ne do të tentojmë ta bëjmë Gjilanin një qytet të jetueshëm,” ka deklaruar ai.
Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se nëse ndotja vazhdon me këtë ritëm të lartë, Gjilani rrezikon të bëhet një qytet i pabanueshëm brenda një kohe të shkurtër. /Telegrafi/