Telegrafi

Kuvendi Komunal në Ferizaj mban mbledhje, këto janë vendimet që u morën

Gjatë ditës së mërkure, është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ku kanë marrë pjesë drejtorët e drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje drejtorja e financave Sebahate Ajeti-Sadiku para anëtarëve të Kuvendit Komunal  ka prezantuar raportin financiar për periudhën janar-qershor të këtij vitit dhe është diskutuar edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare për vitin 2023, transmeton Telegrafi.

Sipas një njoftimi nga Komuna e Ferizajt, janë prezantuar dhe aprovuar disa vendime të propozuara më parë.

“Me shumicë votash është aprovuar edhe Statuti unik i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare i adaptuar me specifikat e kësaj qendre, ku detaje për këtë statut ka dhënë drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Dr. Kemajl Emini”, thuhet në njoftim.

Veç kësaj edhe nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, janë prezantuar ndryshimet që janë bërë në strategjinë për zhvillim ekonomik.

“Drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Balton Dërguti, ka prezantuar edhe ndryshimet që janë bërë në Strategjinë për Zhvillimin Ekonomik Lokal të Komunës së Ferizajt për periudhën kohore 2024-2034”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas njoftimit në këtë mbledhje janë diskutuar edhe disa propozime për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pjesëve të ngastrave katasdrale. /Telegrafi/