Site icon Telegrafi

Kuvendarët e Gjilanit miratojnë ndarazi një pjesë të bartjes së buxhetit

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, ka mbajtur një seancë urgjente të thirrur nga kryetari Alban Hyseni.

Në këtë mbledhje u miratua pjesërisht bartja e mjeteve financiare, ku mbi 1.5 milionë euro u alokuan për projekte të ndryshme, ndërsa pjesa e mbetur prej 941 mijë euro, së bashku me buxhetin për vitin 2025, u shtynë për diskutim dhe miratim në një seancë tjetër.

Gjatë seancës, u zhvillua një debat i gjallë mes pozitës dhe opozitës, duke u arritur marrëveshja që të votoheshin ndarazi kategoritë e bartjes së mjeteve, dhe jo në tërësi, siç ishte propozuar fillimisht.

Kryetari Hyseni, në bashkëpunim me opozitën, mbështeti një sërë ndryshimesh dhe propozimesh për alokim të drejtë të fondeve.

Një nga vendimet më të rëndësishme ishte dyfishimi i mjeteve për shoqatat që trajtojnë personat me aftësi të kufizuara, ku Handikosi u mbështet me 100 mijë euro, Shoqata Pema me 80 mijë euro dhe Shoqata e të Verbërve me 70 mijë euro.

Po ashtu, u miratuan fonde për subvencionimin e lehonave dhe për barna për personat në nevojë, si dhe për projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve, përfshirë vendosjen e dollapëve në shkolla dhe mbështetjen për fermerë, bletarë dhe studentë.

Në fund të seancës, kryetari Hyseni paralajmëroi mbajtjen e një tjetër mbledhjeje urgjente për të finalizuar miratimin e shumës së mbetur dhe për të diskutuar buxhetin për vitin 2025, duke përfshirë edhe projeksionet buxhetore për vitet pasuese. /Telegrafi/

Exit mobile version