Site icon Telegrafi

Kush kujt do t’ia ndalë i pari gazin?

Luftës shkatërruese të Moskës në Ukrainë nuk po i shihet fundi.

Ndërkohë një betejë tjetër, jo e përgjakshme, por potencialisht e dhimbshme, është në zhvillim e sipër.

Në të përfshihet Rusia, eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror, kundër Bashkimit Evropian, ekonomisë së tretë më të madhe në botë – dhe situata mund të përshkallëzohet para se të ketë epilog.

Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se planifikon t’i japë fund varësisë historike ndaj energjisë ruse – në përpjekje për të bllokuar fondet për sulmin e paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, i cili ka lënë të vdekur mijëra persona.

Blloku evropian tashmë ka vendosur ndalesë – që do të zbatohet nga muaji gusht – në thëngjillin rus, dhe këtë javë mund të vendosë ndalesë në naftën ruse, duke nisur zbatimin nga janari i vitit 2023.

Mirëpo me gazin natyror situata nuk është aq e thjeshtë.

Ndonëse disa zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje për ndalesë në gazin rus, çështja është më e komplikuar pasi – për dallim prej naftës dhe thëngjillit – blloku prej 27 anëtarësh nuk mund të zëvendësojë këtë lëndë në periudhë afatshkurtër pa dëmtuar ekonominë e vet, thonë ekspertët.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili nuk dëshiron të mbetet pa konsumatorin më të madh të gazit, dhe as që shteti i tij të dalë i shkatërruar nga lufta, po synon të shfrytëzojë këtë dobësi.

Javën e kaluar Rusia ka bërë të ditur se do të ndalë furnizimet me gaz në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, sikurse Polonia dhe Bullgaria.

Zyrtarët evropianë dhe analistët thonë se kjo është përpjekje e Putinit për të ndarë BE-në dhe për të dërguar paralajmërim për gjithë bllokun evropian.

“Putin po tenton të bindë Evropën për pasojat – të tregojë se Evropa do të paguajë për mbështetjen ndaj Ukrainës”, ka thënë Will Pomeranz, ushtrues detyre i Institutit Kennan të Qendrës Wilson në Uashington.

“Nëse ekonomia dëmtohet dhe njerëzit vuajnë (është e mundshme) që shtetet evropiane – Gjermania apo Franca, apo edhe vende tjera të thonë – ‘Kjo gjë nuk ia vlen’”, ka thënë ai.

Disa në Evropë veçse janë duke thënë këtë gjë.

Disa ditë para se Rusia të pushtonte Ukrainën më 24 shkurt, Gjermania ka pezulluar projektin e gazsjellësit, Rrjedha Veriore 2, në vlerë të 10.5 miliardë dollarëve, i cili është krijuar për të dërguar gazin rus në Gjermani përmes Detit Baltik.

Mirëpo në muajin prill, ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, u ka rezistuar thirrjeve për një embargo të BE-së në importet e gazit rus “në periudhë afatshkurtër”, duke thënë se një vendim i tillë “do të shkaktonte më shumë dëm” për bllokun sesa për Rusinë.

Gjermania është klientja më e madhe e gazit rus brenda BE-së, pasi nga Rusia blen një të tretën e importit.

Kjo nënkupton 155 miliardë metra kub të gazit natyror vitin e kaluar, përfshirë 140 miliardë metra kub përmes gazsjellësit.

Kjo shifër përbën rreth 40 për qind të përdorimit të gazit natyror në gjithë BE-në më 2021, duke e kthyer Rusinë në furnizuesen më të madhe të bllokut evropian.

Për dekada, Rusia ka qenë burim i madh i gazit që përdoret për të ngrohur shtëpitë, shkollat dhe spitalet, për të krijuar rrymë si dhe për funksionuar objekte industriale në Evropë.

Ndërkohë që lidhjet mes Rusisë dhe BE-së sa vijnë e zbehen, dhe kritikët akuzojnë Putinin se po përdor energjinë si armë, varësia reciproke është rritur çuditshëm në vitet e fundit.

Përmes agresionit dhe të dhënave për mizori, që disa nuk i kanë imagjinuar në Evropë në shekullin 21, lufta e paprovokuar e Rusisë në Ukrainë ka nxitur BE-në që të shkëpusë atë që mund të bëhet marrëdhënie e rrezikshme në të ardhmen.

Komisioni Evropian ka thënë në muajin mars se blloku nuk mund të ndalë importet e gazit rus aq shumë sa dy të tretat këtë vit, apo t’i ndalë ato plotësisht deri më 2030.

A është e mundshme kjo gjë?

Carlos Diaz, analist në kompaninë për kërkime rreth energjisë, Rystad – me bazë në Oslo – e ka quajtur vitin 2022 si shënjestër “sfiduese”.

“Ndoshta mund ta zëvendësojnë deri diku, mirëpo ekzistojnë kapacitete të kufizuara për gaz në sektorin e energjisë”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Diaz ka thënë se BE-ja ka kapacitetet për të importuar edhe më shumë gaz të lëngshëm natyror, sesa 50 miliardë metra kub sa importon tani, mirëpo problemi është te gjetja e një çmimi të arsyeshëm.

Furnizimet me gaz të lëngshëm natyror do të rriten për vetëm 25 miliardë metra kub këtë vit, çka nënkupton se Evropa do të duhet të marrë sasi të madhe gazi nga Azia – tregun më të madh të gazit të lëngshëm natyror – për të përmbushur nevojat e veta, ka thënë ai.

Çmimet evropiane të gazit të lëngshëm natyror janë rritur vitin e fundit në nivele rekorde dhe tani mund të tejkalojnë çmimet aziatike, duke e bërë BE-në një destinacion më atraktiv për eksportuesit, sidomos për ata në Shtetet e Bashkuara.

Tregjet e gazit të lëngshëm natyror do të hasin në vështirësi deri në mesin e dekadës, kur Shtetet e Bashkuara dhe Katari pritet të rrisin dukshëm furnizimet, ka thënë Diaz, duke nënkuptuar që Evropa zor se do të mund të rrisë importet e këtij produkti më 2023.

Rishqyrtimi i planeve

Ndonëse Evropa ka investuar shumë në energji alternative në dekadën e fundit – me qëllim të uljes së kërkesës për naftë të papërpunuar – prodhimi i gazit brenda saj ka rënë dukshëm.

Vendet anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë, janë drejtuar nga Rusia për të plotësuar mungesat.

Prandaj kombet evropiane janë duke rishqyrtuar planet e tyre për prodhim.

Norvegjia, e cila nuk është anëtare e BE-së, planifikon të rrisë prodhimin e gazit këtë vit për të përmbushur nevojat në rritje të bllokut evropian për energji joruse.

Si furnizuesi i dytë më i madh për BE-në, pas Rusisë, ky shtet skandinav planifikon të kompletojë një gazsjellës të ri për në Poloni, përmes Danimarkës, më vonë gjatë këtij viti.

Ky projekt do të ketë kapacitet për bartje të 10 miliardë metrave kub të gazit.

Holanda ka bërë të ditur në muajin janar se gati do të dyfishojë prodhimin në Groningen, dikur prodhuesen më të madhe të gazit natyror në Evropë.

Prodhimi ka rënë për shkak të lëkundjeve të mëdha në atë zonë prodhimi dhe qeveria ka planifikuar ta mbyllë atë më 2023.

Mirëpo pas pushtimit rus në Ukrainë, banorët lokalë po përkrahin rritjen e prodhimit në deri 12 miliardë metra kub.

Thierry Bros, ekspert i energjisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nëse çmimet evropiane të gazit natyror rriten në mënyrë marramendëse, Qeveria holandeze “mund të rimendojë politikën e vet” dhe të rrisë prodhimin edhe më shumë sesa është planifikuar.

Në kërkim të burimeve

Rumania, prodhuesja e dytë më e madhe e gazit natyror në BE, pas Holandës, ka potencial për të rritur prodhimin në 10 miliardë metra kub në vit nga zonat në Detin e Zi, mirëpo mospajtimet për taksim në det të hapur kanë vonuar vazhdimisht projektet.

Rumania tani mund të “tentojë dhe të shpejtojë këto procese” për shkak të krizës, ka thënë Diaz.

Nëse shohim përtej Evropës, BE-ja mund të marrë më shumë gaz këtë vit nga shtetet si Afrika Veriore, duke përfshirë Algjerinë, furnizuesen e saj të tretë më të madhe pas Rusisë dhe Norvegjisë.

Italia ka nënshkruar së fundi një marrëveshje me Algjerinë për të rritur importet, duke nisur nga vjeshta.

Marrëveshja parasheh 9 miliardë metra kub shtesë të gazit natyror në periudhën 2023-24.

Azerbajxhani do të mund të rrisë po ashtu eksportet e gazit në BE për 2 miliardë metra kub, si dhe të rrisë edhe më shumë eksportet më vonë gjatë dekadës nëse zgjerohen kapacitetet e gazsjellësit.

Ndërkohë në Moskë

Rusia është duke marrë po ashtu masat e veta, në mesin e konfrontimeve në rritje.

Pasi BE-ja ka vendosur sanksione të reja ndaj ekonomisë ruse – pas nisjes së luftës në Ukrainë – Putin ka kërkuar që vendet “jomiqësore” të Bashkimit Evropian të paguajnë për gazin natyror rus në rubla.

Skema e rublave përbën shkelje potenciale të sanksioneve, dhe disa vende, siç janë Polonia dhe Bullgaria, kanë refuzuar t’i nënshtrohen kërkesës.

Këto dy shtete së bashku shfrytëzojnë rreth 12 miliardë metra kub të gazit natyror rus dhe kanë planifikuar që të mos vazhdojnë kontratat, kur ato të skadojnë në fund të vitit.

Polonia do të marrë gazin drejtpërdrejt nga Norvegjia, kur të përfundohet gazsjellësi i ri, derisa Bullgaria do të marrë gaz nga Azerbajxhani, përmes Greqisë.

Dilema ruse

Rusia do të përballet me situatë të vështirë në aspektin ekonomik nëse BE-ja i përmbush synimet për vitin 2022 e tutje.

Rusia ka furnizuar BE-në me 140 miliardë metra kub të gazit natyror nga zonat e Siberisë Perëndimore dhe nuk ka rrugë alternative të eksportit.

Moska ka përmendur plane për të ndërtuar një gazsjellës që lidh Siberinë Perëndimore me një gazsjellës eksporti në Kinë, mirëpo analistët besojnë se duhen shumë vite për ta jetësuar këtë gjë.

Një ndërprerje e plotë e gazit rus në Evropë, e iniciuar nga cilado palë, do t’i kushtonte Rusisë me dhjetëra miliardë dollarë të humbur brenda një viti.

Çmimi që duhet paguar? 

Pavarësisht se çka ndodh, përballja për furnizimet me gaz mund të përcillet me pasoja të mëdha ligjore.

Rusia ka kontrata afatgjata me më shumë se 20 vende evropiane – deri në vitin 2040 siç është rasti me Austrinë.

Meqë Rusisë i është dashur të investojë miliarda dollarë për të zhvilluar infrastrukturën për bartje të gazit në Evropë, ajo në kthim ka kërkuar garanci për shitje.

Kontratat u kërkojnë kompanive evropiane të paguajnë për një sasi minimale të gazit çdo vit, edhe nëse nuk e përdorin atë.

BE-së do t’i duhet të analizojë nëse është duke shkelur ndonjë kontratë teksa synon të ndalë importet e gazit, sepse aty mund të dalin implikime të mëdha ligjore”, ka thënë Diaz.

Në të njëjtën kohë, shtetet evropiane mund të padisin Rusinë nëse Kremlini ua ndalë gazin”, ka thënë Bros.

“Do të ketë çmim të lartë për t’u paguar nga secila anë”, ka thënë ai, duke shtuar se pretendimet mund të shkojnë në qindra miliarda dollarë.

Sa u përket përpjekjeve për të zvogëluar varësinë, Bros ka thënë se BE-ja duhet të bëjë të ditur ndalesë ndaj gazit rus deri në fund të vitit, në mënyrë që të nxisë përparime, duke përfshirë investimet në energji alternative dhe të ndërtojë infrastrukturë për fabrika të rigazifikimit të gazit të lëngshëm natyror.

Ndonëse diçka e tillë mund të dëmtojë industrinë evropiane, Bros beson se ky është çmimi që duhet paguar për të ndalur pushtimin rus të Ukrainës./rel/

Exit mobile version