Telegrafi

Kush janë dhe nga vijnë lojtarët e Bad News Eagles që po bëjnë krenarë të gjithë shqiptarët anembanë, nga internet-kafenetë në majat e CS:GO

Të gjithë po flasin për ekipin shqiptar nga Kosova, Bad News Eagles, pas suksesit të tyre historik në lojën e CS:GO, pasi ata u kualifikuan në turneun më të madh të CS:GO, ku garojnë skuadrat më të mira të botës, por jo shumë e dinë historinë e këtyre djelmoshave, se si arritën deri tek ky sukses.

Shumica e lojtarëve të ekipit Bad News Eagles, lojën e CS:GO, e filluan duke luajtur në internet kafe, ku së pari e nisën si një lojë qejfi, për ta kthyer më vonë në hobi e pasion.

Gjatë kësaj kohe, ishin pjesë e garave të ndryshme të vendit, edhe pse nuk ishin pesëshja e njëjtë së bashku, sukseset e tyre nuk mungonin.


Po ia fillojmë me snajperistin e ekipit Bad News Eagles, Genc ‘gxx-‘ Kolgeci, 23 vjeçari nga Prishtina, i cili në fëmijërinë e tij ishte futbollist mjaft i zoti. Ai kishte qenë pjesëtar i klubit 2 Korriku, por për shkak të disa lëndimeve Genci u largua nga futbolli dhe këtu filloi entuziazmi i tij për CS:GO.

Genci filloi të luante që nga viti 2014-2015, ndërsa shumicën e kohës ai e kalonte në internet kafe duke u argëtuar me lojën e CS:GO. Në vitin 2018 arriti të kualifikohej në ligën e dytë më të mirë të CS:GO, ku bëjnë pjesë shumë lojtarë profesionist të CS:GO, Faceit Pro League – Challenger. Në këtë lig 23 vjeçari qëndroi për rreth tre vite, ku më pas në vitin 2020 arriti të kualifikohej në ligën më të madhe individuale të CS:GO, FACEIT PRO LEAGUE.

Prishtinasi është njëri ndër lojtarët e parë të ekipit, pasi ishin pjesë e ekipit BLINK, së bashku me Sener ‘SENER1’ Mahmuti.

Pas problemeve me organizatën, ekipi dhe lojtarët i ndanë rrugët e tyre, ku pastaj pesë lojtarët e njëjtë filluan të garojnë si lojtarë të pavarur me emrin e ekipit Bad News Eagles, ku edhe u kualifikuan në turneun më të madh të CS:GO.


Po vazhdojmë me kapiten e ekipit Bad News Eagles, Dionis ‘sinnopsy’’ Budeci. 26 vjeçari nga Fushë Kosova lojën e CS:GO e filloi nga viti 2014-2015, i cili njëjtë sikur se ‘gxx’, kaloi orë të shumta duke luajtur në internet kafe. Ai në vitin 2018, ‘sinnopsyy’ gjithashtu u kualifikua në ligën e Faceit Pro League – Challenger (FPL-C), ku pas dy muajsh siguroi vendin për në ligën më të madhe individuale të CS:GO, FACEIT PRO LEAGUE (FP0L).

Në vitin 2019 Dionisi u bë pjesë e organizatës shumë të famshme Team Secret, ku luajti për një vit, por pasi skuadra u shua ai mbeti si agjent i lirë.

Më vonë ai u bashku me ekipin BLINK, ku patën mjaft suksese të mëdha, por më vonë pas problemeve me organizatën, sinnopsyy dhe bashkëlojtarët e tij të tanishëm u larguan nga BLINK, për të vazhduar si lojtarë të pavarur me emrin e Bad News Eagles.


Lojtari i tretë i ekipit Bad News Eagles është Flatron ‘juanflatroo’ Halimi. 25 vjeçari nga Prishtina, CS:GO filloi të luaj që nga viti 2016, i cili njëjtë si shokët e tij të ekipit filloi të luante në internet kafet e Prishtinës. Ai në janar të vitit 2019 u kualifikua në ligën e FPL-C, ku menjëherë pas muajit të parë arriti që të siguroj biletën për në ligën kryesore Faceit Pro League.

Në vitin 2019 edhe juanflatroo së bashku me sinnopsyy-n u bë pjesë e ekipit Team Secret, por që Flatroni u largua më herët nga ekipi.

Ai qëndroi pa ekip një kohë, e së bashku me sinnopsyy-n më vonë u bënë pjesë e ekipit BLINK. Por pas disa problemeve me organizatën, u largua për të vazhduar me ekipin Bad News Eagles, ku edhe sot po vazhdojnë të korrin suksese në turneun më të madh të CS:GO.


Lojtari më i ri në ekip, Rigon ‘rigoN’ Gashi është 22 vjeçari nga Mitrovica i lindur në Zvicër. CS:GO filloi të luante në vitin 2014 dhe është lojtari i vetëm i cili rrugëtimin e tij e ka filluar duke luajtur në kompjuterin e tij personal nga shtëpia. Ai në vitin 2017 u kualifikua për në ligën FPL-C, ndërsa në vitin 2019, arriti që të kualifikohet në ligën kryesore Faceit Pro League (FPL).

Së bashku me Flatronin dhe Dionisin, Rigoni u bë pjesë e ekipit Team Secret, por që nuk qëndroi për kohë të gjatë dhe u largua. Më pas në vitin 2020 u bë pjesë e ekipit internacional C0ntact, i cili ishte ekip mjaftë i mirë, por për shkak të rezultateve të dobëta, organizata e shpërndau ekipin dhe i liroi nga kontratat e tyre.

Në gusht të vitit 2021, Rigoni erdhi në ekipin BLINK, duke iu bashkua bashkëlojtarëve të tij të tanishëm, gxx, sinnopsyy, juanflatroo dhe SENER1.

Pas disa problemeve me organizatën Rigoni ishte lojtari i parë i cili u largua nga ekipi. Ai vazhdoi me pjesën e tjetër të ekipit me emër të ri dhe pa organizatë, Bad News Eagles, ku edhe po garojnë për momentin në ligën më të madhe të CS:GO.


Lojtari i radhës është Sener ‘SENER1’ Mahmuti. 25 vjeçari nga Prizreni, edhe ky si një pjesë e bashkëlojtarëve të tij lojën e CS:GO filloj ta luaj qysh nga viti 2014/15, në internet kafe.

Seneri është lojtari i parë nga pesëshja që ishte pjesë e ekipit BLINK, ku pas sukseseve të ekipit, me bashkëlojtarët e tij, morri ftesën për FPL-C në vitin 2021, ndërsa menjëherë një muaj më vonë arriti të kualifikohej për në ligën e Faceit Pro League (FPL).

Pas largimit të ekipit nga skuadra e BLINK, ai u bashku përsëri me shokët e tij të skuadrës për të formuar ekipin Bad News Eagles, dhe për të arritur suksesin historik, kualifikimin në turneun më të madh të CS:GO.


Ndërsa trajneri i tyre, Klesti Kola, 23 vjeçari nga Tirana e Shqipërisë, ishte pjesë e ekipit qysh nga formimi i BLINK, ku pjesë e saj ishte vetëm SENER1 dhe gxx. Klesti në ekipin e BLINK e filloi si lojtar, por më pas doli në rolin e trajnerit, ku u tregua shumë i suksesshëm. Pas largimit të pjesëtarëve tjerë nga ekipi i BLINK, Klesti vendosi të largohej bashkë me ta, ku sot po korrin suksese së bashku në turneun më të madh të CS:GO.

/Telegrafi/