Telegrafi

Kush ishte më i mirë, Pele apo Maradona?

Kjo pyetje ka nxitur mjaft debate dhe do të vazhdojë kështu edhe për një kohë të gjatë. Në tekstin e mëposhtëm do të bëjmë ca krahasime mes dy figurave më të çmuara të historisë së futbollit, ndërsa ju vendosni se cili prej tyre ishte më i mirë.

Trofetë dhe medaljet

Pele ka fituar tri herë Kupën e Botës, dy herë Kupën Libertadores, dy Kupa Ndërkombëtare dhe një mori titujsh tjerë brazilianë dhe amerikanë, derisa është zgjedhur edhe Lojtari i FIFA-s për çmimin e Shekullit, në vitin 2000.

Maradona në tjetrën anë ka fituar vetëm një herë Kupën Botërore, disa tituj lige në Argjentinë dhe Itali, Kupën e Spanjës dhe Italisë, dhe një turmë prej shpërblimeve individuale përfshirë, lojtarin më të mirë në Kupën Botërore 1986, çmimin Goli i Shekullit nga FIFA, si dhe Lojtari i Shekullit nga FIFA (zgjedhur nga votimet e njerëzve).

Disa mendojnë se, fakti që Pele ka fituar tri herë Kupën Botërore ndërsa Maradona vetëm një herë, e bën brazilianin lojtar më të mirë. Sigurisht çmimet ekipore, në krye të të cilave është Kupa Botërore, janë mjaft të rëndësishme, sidoqoftë do të ishte jokorrekte që ta gjykoni lojtarin vetëm me trofetë që ka fituar. Pele ishte 17-vjeçar në vitin 1958, ndërsa mezi bëri një ngritje në vitin 1962 dhe 1966 për shkak të lëndimit, dhe në vitin 1979, bëri paraqitjet më të mira dhe luajti në ekipin më të mirë të të gjitha kohërave, krahas lojtarëve si Tostao, Rivelino, Gerson dhe Jairzinho.

Maradona sidoqoftë ka ruajtur një mesatare të theksuar në ekipin e Argjentinës, deri në trofeun e Kupës Botërore në vitin 1986, kur shënoi golin më të bukur të të gjitha kohërave kundër Anglisë në çerekfinale, dhe një tjetër po thuajse po aq të shkëlqyeshëm kundër Belgjikës në gjysmëfinale.

Siç është theksuar në shumë raste në të kaluarën, Brazili do të mund të kishte fituar Kupën Botërore të vitit 1970 me ose pa Pelen. Por në vitin 1986, Argjentina mbase nuk do të kishte tejkaluar kampionin e Kupës së Amerikë, Uruguain, në rundin e dytë pa e pasur Maradonën në ekipin e vet.

Por as kjo nuk e bën Maradonën lojtar më të mirë. Megjithëse shumica pyeten, nëse Pele do të kishte luajtur për Argjentinën në vitin 1986, a do të kishte arritur të fitonte Kupën Botërore? Kjo është mjaft e dyshimtë.

Golat e shënuar

Tifozët e Peles gjithmonë mburren se ai ka shënuar 1.281 gola në 1.363 ndeshje. Mbi të gjitha duhet të përmendim se ka shumë paqartësi rreth kësaj shifre. Shumica e këtyre golave ishin shënuar për ekipin Santos në kampionatin e Brazilit, ku kundërshtarët edhe nuk kanë qenë aq të fuqishëm. Megjithatë me 77 gola në 92 paraqitje për Brazilin dhe 12 prej tyre në Kupën Botërore, askush nuk duhet të pyetet për aftësitë mahnitëse të brazilianit për shënim të golave.

Maradona ka shënuar 34 gola në 91 paraqitje, 8 në Kupën Botërore dhe ka pasur një karrierë prej 311 golash në 590 paraqitje.

Edhe njëherë të theksojmë se nuk është e gjitha në statistikat e golave. Një lojtar i mirë ose sulmues i mirë, do të shënojë gola atëherë kur ato janë të nevojshme, përfshirë këtu edhe ndeshjet vendimtare për titujt e mëdhenj ose ndeshjet eliminuese në garat e ndryshme.

Disa golashënues me profil të pasur në të kaluarën, nuk kanë treguar gjithmonë më të mirën prej tyre në ndeshjet e mëdha. Ata që e përcjellin futbollin italian duhet ta dinë se Alberto Gilardino ka një rekord mjaft të mirë për Milanin, por ai gjithmonë ka dështuar të shënojë kundër ekipeve të mëdha ose në ndeshjen më të rëndësishme. Që të dy, Pele dhe Maradona e kanë bërë këtë, andaj në këtë aspekt nuk mund të ndahen.

Loja fer

Është mjaft e qartë se Pele ishte një lojtar më i madh pasi që Maradona nuk është lloj i lojtarit për t’u marrë si shembull; abuzimi me substanca të ndryshme dhe fakti se ai “ka mashtruar” me golin e shënuar me dorë kundër Anglisë, në vitin 1986, që e bën atë një lojtar më pak të drejtë.

Kjo hipotezë është paksa qesharake. Pa analizuar shumë se sa negativisht është sjellë Maradona jashtë fushe dhe se sa i ka thyer ato në fushë, kjo nuk na ndihmon të vlerësojmë se sa lojtar i madh ka qenë ai.

Në fakt, në Evropë dhe Amerikën Jugore, të kesh aftësi mashtruese dhe tinëzake, shihet si një pjesë e rëndësishme e ndeshjes. Nëse mund ta mashtrosh arbitrin ose një kundërshtar dhe të shënosh një gol për këtë arsye, atëherë jeni një lojtar më i mirë si fizikisht edhe mentalisht.

Derisa në aspektin moral Maradona mund të kritikohet për varësi nga kokaina, kjo nuk duhet të përzihet me atë se si është parë ai si futbollist. Mund të thoni se Amy Winehouse është këngëtare e keqe sepse merr drogë? Sigurisht se jo!

As edhe Pele nuk ka qenë engjëll në këtë aspekt. Është dëshmuar se si pjesë e udhëheqësve të FIFA-s, së bashku me Sepp Blatter, Joao Havelange dhe miqtë e tyre, ai ka bërë më keq se Maradona. Politika është sëmundje e futbollit dhe vetëm duhet të shikoni në listën e ngushtë vjetore për Lojtarin më të Mirë Botëror të FIFA-s, për të kuptuar këtë.

Duhet edhe të qartësohet se Maradona kurrë nuk ka përdorur substanca stimuluese për paraqitjet e tij, siç besojnë shumica. Kokaina në fakt çon në ulje të nivelit të lojës dhe në vend të saj, siç ka thënë së fundi argjentinasi, ai do të ishte lojtar tri herë më i mirë nëse nuk do të kishte qenë i varur prej saj.

Mungesa e pamjeve

Për të vendosur se cili ka qenë më i mirë, Pele apo Maradona, është mjaft e vështirë edhe për shkak të mungesës së video-xhirimeve, të cilat ishin të rralla gjatë viteve 1950-të dhe 1960-të, kur Pele ishte në lulëzim të karrierës.

Maratona doli në skenë në vitet kur futbolli filloi të shndërrohet në biznes shumëmilionësh. Pamjet e Peles janë kryesisht të kufizuara në Kupat e Botës, ndërsa braziliani ka thënë se golin më të bukur të cilin e ka shënuar, kur thuhet se e ka pushtuar të gjithë ekipin kundërshtar, ka qenë i fshirë nga arkivat shumë vite më herët.

Duke i pasur parasysh këto, është sërish e gabueshme të shfrytëzojmë pamjet nga arkivat dhe të vendosim se cili ka qenë më i mirë. Përzgjedhjet e momenteve më të mira mund të jenë mashtruese. Dikush mund të zgjedhë momentet më të mira gjatë karrierës së Emile Heskeyt dhe të thotë se ai ishte lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Por, për të vlerësuar një lojtar të mirë, duhet ta shihni atë gjatë gjithë 90 minutave të lojës, dhe jo vetëm një moment të caktuar.

Jetëgjatësia, të cilën të dy lojtarët e kishin, është mjaft e rëndësishme. Nuk është gjë e mirë të jesh lojtarë i klasit për vetëm dy vite dhe pastaj të zhgënjesh. Këta lojtarë janë legjenda sepse ishin në maje të futbollit për 15 vite ose më shumë. Kjo është edhe arsyeja pse lojtarët si Paolo Maldini, i cili tashmë 23 vite është aktiv në futboll, janë fenomen.

Pele apo Maradona?

Një gjë që është e rëndësishme ta theksojmë është se Pele ishte 10, ndoshta 20 vite para Maradonës. Truri i tij në aspektin futbollistik funksiononte si asnjë tjetër. Disa thonë edhe se nëse nuk do të ishte Pele, nuk do të kishte Cruijff, Zico, Maradona, Baggio ose Zidane.

Duke vendosur se kush ishte më i mirë, Pele apo Maradona, është një pyetje mjaft e vështirë në futboll. Më sipër ishin një numër argumentesh që sollën, por ju mund të vendosni se cilat mund të jenë më të rëndësishme dhe të nxjerri më të mirin. /Goal/Telegrafi/