Telegrafi

Kush duhet të paguajë në takimin e parë?

Rreth 55% të femrave mendojnë se mashkulli është ai që duhet të paguajë (drekën, darkën, pijen) në takimin e parë, me çka pajtohen edhe 78% e meshkujve. Deri te ky konstatim ka ardhur studimi i përbashkët i uebsajtit amerikan për takime, “JDate” dhe i uebsajtit “ChristianMingle.com”, studim i bërë në 2700 njerëz.

“Meshkujt janë edukuar në atë mënyrë, që të mendojnë se pagimi i drekës apo darkës së takimit të parë është obligim i tyre, por nëse femra insiston që të paguajë apo që ta ndajnë pagesën përgjysmë, atëherë kjo është e drejtë e saj që duhet të respektohet, thotë këshilltarja martesore amerikane”, Rachel Sussman.

Çështja e pagimit është njëra ndër dilemat më të shpeshta gjatë takimit të parë. Sipas rregullave të pashkruara, ai që thërret në takim duhet ta bëjë edhe pagesën, por sikur që pamë, si meshkujt, po ashtu edhe femrat, shumica e tyre, mendojnë se mashkulli është ai që duhet ta fusë dorën në xhep.

Nëse ju, si femër, i lejoni atij që të paguajë, atëherë duhet ta falënderoni dhe të mos e lejoni që atë pagesë ta përdorë si mjet për t’ju bërë presion. Nëse nuk ndiheni mirë që ai të paguajë, apo që ju t’i keni borxh diçka atij, atëherë ndajeni pagesën në dysh, thotë Sussman. Por, nëse e dini se mashkulli me të cilin keni dalë në takim nuk ka një gjendje të mirë financiare, atëherë është mirë që pagesën ta bëni ju. /Telegrafi/