Dy rivalët e qytetit, Milani dhe Interi, do t’i përballin forcat në San Siro për të parën herë këtë sezon.
Pavarësisht një fillimi të dobët dhe ndërrimit të trajnerëve Gian Piero Gasperini me Claudio Ranieri, Nerazzurri janë ngjitur në pozitën e pestë të tabelës derisa rivalët e tyre qëndrojnë në krye me 37 pikë, sa ka edhe Juventusi.
Me Interin që është i paepur të ngushtojë diferencën dhe me Rossonerët që nuk dëshirojnë të humbin ritmin në garën për titull, secila prej skuadrave do të kërkojë të nxjerrë pikë të plota, gjë që do ta bëjë edhe më spektakolare ndeshjen e të dielës mbrëma.
Milani ka fituar në tre ndeshjet e fundit në garat zyrtare në mes të dy skuadrave. A mendoni se Rossonerët do të thyejnë zikaltrit dhe ta bëjnë Interin t’i “lajë duart” nga gara për Scudetton? Ose mendoni se Nerrazzurët do të kthehen fuqishëm për t’i shtuar shpresat për kreun e tabelës? Mbase edhe një ndarje në paqe në këtë derbi mund të jetë parashikimi i juaj!
Cili mendoni se do të jetë rezultati i derbit të këtij vikendi? Jepni mendimin tuaj në hapësirën për komente! /Telegrafi/