Kandidatja për kryetare të Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, në vazhdën e aktiviteteve për ditën e sotme, ka takuar disa nga profesionistët shëndetësorë, ku ka paraqitur objektivat e programit ‘plus4’ për sektorin e shëndetësisë.
Kandidatja për kryetare, me këtë rast ka përmendur disa nga të arriturat dhe investimet që janë bërë gjatë mandatit të parë, me theks të veçantë, investimet në objektin aktual të QKMF-së, vendosjen dhe sigurimin e mamografit si dhe fillimin e ndërtimit të objektit të ri të QKMF-së.
“Sektori i shëndetësisë si sektor i ndjeshëm dhe që i përcakton edhe në fakt është një tregues shumë i mirë i gjendjes së popullatës dhe obligimi dhe përgjegjësit e komunës për përkujdesen primar në Komunën tonë kanë qenë në vëmendjen tonë me marrjen e pushtetit në vitin 2013-të. Me shumë probleme të cilat ne i kemi pasur. Një mori e këtyre problemeve është trajtua… Më së largu fundi i vitit 2018-të do t’i gjejë në objektin e ri me kushte të mirëfillta me një autoambulancë të re e cila është paraparë në buxhetin tonë të vitit 2018-të“, tha Kusari Lila.
Nga ana tjetër, profesionistët shëndetësor kanë shprehur mirënjohjen për gjithë angazhimin e Kusari-Lilës si kryetar, në përmirësimin e kushteve të shërbimit si dhe sukseset e dëshmuara përmes projekteve kapitale që përfshijnë sektorin e shëndetësisë në Komunën e Gjakovës.
Kusari Lila, poashtu gjatë ditës së sotme në kuadër të aktiviteteve elektorale, ka zhvilluar bashkëbisedim me bizneset që veprojnë në ambientet e një qendre tregtare në Gjakovë, ku nga aty ka prezantuar objektivat kryesore të programit ‘plus4’ që kanë të bëjnë me lehtësirat dhe vazhdimin e përkrahjes për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga ana e Komunës së Gjakovës.
Ajo ndër te tjerash ka premtuar për gjakovrët edhe ndërtimin e sistemit të ri të ngrohtores së qytetit.
Ndërsa, Ilir Deda, nga Alternativa, ka thënë se në këtë komunë nuk duhet të kthehet dikush që i shkelë njerëzit këtu.