Site icon Telegrafi

Kurteshi: 15 komuna do të udhëhiqen nga Vetëvendosja (Video)

Shefi i shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Ismajl Kurteshi, njëherit deputet i Kuvendit të Kosovës, ka theksuar se “rezultatet e zgjedhjeve lokale do të shkojnë përtej pritjeve tona”.

Ai ka thënë se “pritjet tona, bazuar në hulumtimet që i kemi bërë, në 20 komuna do të shkojmë në balotazh. Derisa konsiderojmë se rreth 15 komuna do të qeverisen nga VV-ja, në mandatin e ardhshëm”.

“Për Prishtinën nuk ka diskutim se do ta fitojmë, madje edhe pa balotazh. Pa balotazh presim ta fitojmë edhe Gjilanin, Ferizajn, Vitinë dhe Dardanën. Jashtëzakonisht punët mirë i kemi në Prizren, më pas edhe në Gjakovë, Besianë, Fushë Kosovë”, ka theksuar Kurteshi.

Ai ka thënë se ka ndryshime dhe përkrahje të qytetarëve edhe nëpër komuna të cilat nuk është imagjinuar të ketë rezultate të larta.

“Krejt kjo për arsye se qytetarët janë përcaktuar për një ndryshim të madh, e ky ndryshim vjen me Vetëvendosjen”, ka shtuar Kurteshi. /Telegrafi/

Exit mobile version