Site icon Telegrafi

Kur do të rikthehet Broja sërish në fushë? Trajneri i Evertonit flet për gjendjen e tij

Trajneri i Evertonit, Sean Dyche, në konferencën për media para ndeshjes së nesërme (e shtunë) ndaj Aston Villas, ka folur për gjendjen shëndetësore të sulmuesit shqiptar Armando Broja.

Broja u transferua në ditën e fundit të afatit kalimtar tek Evertoni në formë huazimi nga Chelsea, teksa ata mbajnë edhe klauzolën e blerjes për 30 milionë euro.

Megjithatë, debutimi i tij me fanellën e ekipit të ri do të shtyhet edhe për disa javë pasi Dyche ka bërë me dije se Broja nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe se i duhet ende kohë.

“Broja do të ketë nevojë edhe për pak kohë. Mendoj se të gjithë janë në dijeni të kësaj situate. Ai ka pësuar një lëndim dhe kjo do t’i marrë atij pak kohë”, ka thënë Dyche.

Si pasojë e këtij lëndimi, Brojës iu pamundësua që të luajë për Shqipërinë në dy ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve, aty ku kuqezinjtë u përballën me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Kujtojmë se para se të transferohej tek Evertoni, ylli shqiptar kishte tërhequr interesim mjaft të madh nga Ipswich Town megjithëse transferimi i tij atje dështoi për shkak të këtij lëndimi./Telegrafi/

Exit mobile version