Sot në mëngjes me siguri që nuk je menduar dy herë para se të ngrije çantën e rëndë e ta vendosje mbi shpatulla, ndërkohë që tentoje të mbyllje derën me njërën dorë dhe me tjetrën të fusje në gojë një ‘çips’. Mund të vijë një ditë kur qoftë edhe një prej këtyre veprimeve të thjeshta e të përditshme mund të të shkaktojë një dhimbje të tillë shpine, aq të dhimbshme, sa të të çojë direkt te mjeku për vizitë, në më të mirën e rasteve.
Ka edhe nga ata që sigurisht për arsye kohe a arsye personale reagojnë ndaj dhimbjeve vetëm duke përdorur qetësues. Një pjesë e madhe prej nesh herët ose vonë do të nisin të kenë simptomat e dhimbjes së shpinës. Por kjo nuk është një situatë fatale, pasi mjafton të jesh i kujdesshëm e të kesh parasysh disa këshilla që të mos bëhesh pjesë e statistikës.
Ka shumë këshilla që i dëgjojmë lart e poshtë, të cilat nuk janë të duhurat dhe nuk na ndihmojnë që të arrijmë rezultatin pozitiv. Ja disa syresh që mund t‘ju vijnë shumë në ndihmë në vitet në vijim.
A ju shkakton dhimbje shpine ngritja e peshave të rënda?
Një pjesë e madhe e dëmtimeve shkaktohet jo nga ngritja e peshave të rënda, por nga mënyra se si bëhet një veprim i tillë. Po kështu, ne kryejmë shpesh veprime të shpejta e të pamenduara, që lënë pasoja, në mos të menjëhershme, afatgjata. Të tilla janë rastet kur përkulemi shumë mbi kompjuter, kur e kthejmë kokën befasisht shumë shpejt, apo kur ngremë një peshë pa u menduar mirë dhe në mënyrë të menjëhershme.
Këto veprime janë të gabuara dhe në kohën e gabuar. Kështu, në rast se do të duam të ngremë një ngarkesë dhe njëherazi të mos kemi dëmtim, duhet të veprojmë në këtë mënyrë: të qëndrojmë me kurrizin drejt, të marrim objektin duke e afruar me ngadalë drejt trupit dhe ta shpërndajmë gradualisht peshën në të gjithë trupin. Kështu do angazhojmë gjithë muskulaturën, e jo vetëm atë të shpatullave e kurrizit, në mënyrë që kur ta kemi ngarkesën mbi krahë, i gjithë trupi të jetë në “dijeni” të rëndesës e ta përballojë si një i vetëm. Por kjo nuk vlen vetëm për sendet e rënda. Edhe për marrjen e një pene të vogël nga dyshemeja duhet bërë kujdes. Pra, mbani mend se më e rëndësishme se pesha e një objekti është mënyra e marrjes së tij.
A na ndihmon të ulurit me kurrizin e drejtuar për të shmangur dhimbjet në të ardhme?
E mbani mend mamanë kur ju thoshte, ndërsa qëndronit para kompjuterit, që të mbanit kurrizin drejt, në një kënd 90 gradë? Këshilla në këtë rast është ndryshimi i shpeshtë i pozicionit kur jemi ulur dhe jo qëndrimi në të njëjtin pozicion për një kohë të gjatë. Mungesa e lëvizjes është po aq problematike sa edhe lëvizjet e tepruara, duke qenë se qëndrimi në të njëjtin pozicion për një periudhë të gjatë shkakton shumë presion në rruazat e shtyllës kurrizore.
Nëse kalon një pjesë të madhe të kohës në tryezë, mundohu që të ndryshosh vazhdimisht qëndrim. Më i miri do të ishte një qëndrim me këmbët gjysmë të hapura dhe kurrizin në një kënd 135 gradë. Kjo të ndihmon që të shpërndash peshën e trupit. Por, pavarësisht mënyrave të qëndrimit dhe ndryshimit të vazhdueshëm të tij, këshillohet që çdo 40 minuta të ngrihesh nga tryeza e të bësh një ecje të shkurtër.
A janë ushtrimet e vështira për shpinën tuaj?
Ushtrimet fizike në ajër të pastër e forcojnë shpinën tënde dhe muskujt e gjithë kurrizit rrisin presionin e gjakut te rruazat. Personat mbipeshë janë tri herë më të predispozuar që të shkojnë në spital me probleme kurrizi, se sa ata me peshë normale. Por edhe ushtrimet duhet të jenë të duhurat, sepse ushtrimet, dhe për më tepër kohëzgjatja e tyre e pakontrolluar, mund të kenë efekt të kundërt.
Më të mirat e mundshme janë ushtrimet aerobike, të ecurit, noti apo edhe vrapi i lehtë. Por mos harroni që të bëni fillimisht nxehjen. Pikërisht ky detaj që shpesh neglizhohet është një ndër komponentët më të rëndësishëm të stërvitjes, pasi shërben për të çuar gjakun te muskujt dhe për ta përgatitur trupin mbi gjendjen e re.
A është qëndrimi palëvizur gjithmonë shkaktarja e dhimbjes së shpinës?
Dhimbja e shpinës, në më të shumtën e rasteve, nuk është pasojë e një goditjeje apo traume të vetme, por e mënyrës se si ne sillemi përditë. Sipas një studimi japonez, thjesht qëndrimi i palëvizur në shtëpi, apo në punë, ju bën dyfish më të prirur për të pasur probleme. Gjithashtu, një ndër shkaqet është edhe stresi mendor, apo ai shpirtëror. Me kalimin e kohës, fibrat dhe muskujt zbuten, nuk janë më në gjendjen e viteve të rinisë dhe kjo shton rrezikun e plagosjes.
Gjërat përkeqësohen edhe nga kundërpërgjigjja natyrore që ka trupi ndaj stresit: shtimi i tensionit muskulor. Kjo mund të përkeqësojë problemet ekzistuese me shpinën. Kësisoj, kur ndjen rritje të presionit nga stresi, bëj një pushim të shkurtër prej 30 minutash, pavarësisht se mund të jesh i acaruar apo nevrikosur. Një banjo e nxehtë apo dush, me të mbërritur në shtëpi, është një tjetër gjë pozitive, sepse në këtë rast kjo është çlodhje si për muskujt, ashtu edhe për mendjen. Sigurisht, për ata që kanë mundësi, masazhi është një ndihmë e shkëlqyer, pasi i zbut muskujt, i shtendos dhe si pasojë edhe dhimbja e shpinës zbutet.
A janë të dobishme mjekimet alternative?
Në disa raste mjekimet alternative mund të jenë më të efektshme se terapia konvencionale. Një studim i fundit gjerman zbuloi se më shumë se gjysma e pacientëve me probleme të dhimbjes së shpinës, që kishin kryer seksione te mjekët kiropraktikë ose akupunkturolog, kishin pasur shumë përmirësime të gjendjes së tyre shëndetësore.
Ky lloj mjekimi alternativ shton fluksin e gjakut dhe qarkullimin e tij në zonat e prekura, duke vënë në punë edhe gjëndra të caktuara që lëshojnë lëngje hormonale qetësuese. Terapitë alternative e bazojnë kurimin e tyre tek ideja se shkaku i dhimbjes së shpinës është zhvendosja e vertebrave të shtyllës kurrizore, ndaj edhe përqendrimi është i gjithi te vertebrat. Gjatë procedurës, mbi shpinë aplikohet një peshë jo shumë e madhe, e cila nëse fokusohet në vendin e duhur arrin të japë shumë rezultat dhe të çojë në vend vertebrat.
Cili shtrat do të ishte më i miri?
Ka shumë mundësi që pikërisht shtrati ku flini të jetë edhe burimi i dhimbjeve tuaja. Nëse arrini të gjeni dyshekun e përshtatshëm, do të ishit me të vërtetë i fituar. Por cili është ai? Nëse do të kishit një dyshek shumë të butë, nuk do ishte mirë, sepse trupi do të krijonte gunga. Edhe nëse do të merrnit një dyshek të fortë, presioni mbi trupin tuaj do të rritej e si pasojë vjen tendosja e dhimbjet.
Sipas një studimi, personat që flenë në një dyshek gjysmë të fortë kanë më shumë shanse të jenë të shëndetshëm dhe të përjetojnë më pak dhimbje nga ata që flenë ose në dyshek shumë të butë, ose e kundërta.
ÇFARË DUHET TË BËNI KUR JENI NË KRIZË?
24 orëshi i parë
Është shumë e vështirë që të përcaktohet një diagnozë ditën e parë të dhimbjeve akute, pasi zona e prekur është e infektuar. Substancat inflamatore janë si zamka, pra i ngjisin bashkë fibrat muskulore, duke e reduktuar në maksimum lëvizjen. Çelësi i suksesit është që ta marrësh shtruar dhe të qëndrosh shtrirë, nëse ke mundësi. Në momentin e parë janë të dobishme medikamentet anti-inflamatore, si aspirina apo ibuprofeni. Në vendin ku ke dhimbje mund të vendosësh kubikë akulli. Kjo do të ndalojë substancat inflamatore që të hyjnë në ind dhe do përshpejtojë shërimin.
Dita e dytë
Shpina juaj mund të jetë më shumë e nxirë, se sa të të japë dhembje dhe kjo është shenjë e fillimit të shërimit. Vazhdoni ta merrni shtruar, por ndërkohë përpiquni që të lëvizni për të stimuluar qarkullimin. Gjithmonë dëgjoni atë që ju “thotë” trupi, pasi trupi gjithmonë, nëse ne dimë ta dëgjojmë, na thotë gjëra të dobishme. Disa lloje dhimbjesh (zakonisht dhimbjet muskulore) nisin të qetësohen pas lëvizjeve dhe fërkimeve të buta, por të tjerat (zakonisht dhimbjet e nervave) janë më të dhimbshme. Nëse konstatoni se gjendja përkeqësohet, atëherë duhet të mos lëvizni shumë e të riktheheni në shtrat.
Dita e tretë
Kjo është një periudhë shumë e rëndësishme. Nëse intensiteti i simptomave është në rritje, atëherë dhimbja nuk do të kalojë vetiu, por ju do të keni nevojë për një specialist. Nëse keni më shumë një shqetësim, se sa një dhimbje të mirëfilltë, atëherë në vend të akullit që duhet të përdornit në fillim, duhet ta trajtoni veten me ujë të nxehtë në zonën e dhimbjes. Nëse gjithsesi dhimbja përkeqësohet, duhet të takoni mjekun. /Telegrafi/