Site icon Telegrafi

Kur është e sigurt që të filloni marrëdhëniet seksuale pas lindjes

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Domosdo duhet të konsultoheni me mjekun, sidomos nëse keni lindur me prerje cezariane.

Duhet të pritni deri sa të ndalet gjakrrjedhja pas lindjes, pra deri sa të mos keni më lohije. Arsyeja se përse duhet pritur është që të shërohet krejtësisht vendi në mitër ku ka qenë e ngjitur placenta. Nëse filloni me marrëdhënie seksuale më herët atëherë mund të shfaqet infeksioni.

Rekomandohet që të mos keni marrëdhënie seksuale së paku gjashtë javë pas lindjes. Deri në këtë kohë organizmi juaj është rekuperuar dhe janë shëruar plagët si pasojë e çarjeve që kanë mundur të ndodhin gjatë lindjes.

Ka qifte që fillojnë të kenë marrëdhënie seksuale shumë shpejt pas lindjes, por në disa raste qiftet mund të mos fillojnë të kenë marrëdhënie seksuale edhe shumë muaj pas lindjes. Kjo konsiderohet normale, sepse në këtë periudhë të dy partnerët preokupohen me beben dhe marrëdhëniet seksuale janë në plan të dytë.

Arsyeja se përse nuk duhet patur marrëdhënie seksuale shumë shpejt pas lindjes është për shkak të mundësisë së bartjes së infeksionit. Për më tepër gratë që kanë lindur për herë të parë shpeshherë ndodhë që pas lindjes tek ato duhet të qepet perineumi (për shkak të çarjeve ose epiziotomisë) dhe si rrjedhojë nëse plaga nuk është shëruar, ato mund të jenë dhimbje gjatë marrëdhënieve.

Shpeshherë ndodhë që gruaja dhe burri i saj nuk mund të flenë dhe pushojnë mjaftueshëm pasi që bebja qanë dhe nuk rehatohet gjatë natës. Si rrjedhojë ata janë të lodhur fizikisht e emocionalisht dhe mungon epshi seksual. Poashtu, ndonjëherë (sidomos gratë që kanë lindur për herë të parë) nuk janë të kënaqura me pamjen e trupit të tyre dhe i shmangin marrëdhëniet seksuale nga frika se mund të mos duket atraktive për burrin.

Është shumë me rëndësi që gruaja ta ketë përkrahjen e burrit, prandaj është mirë që të flisni lirshëm për çfarëdo shqetësimi që keni në mënyrë që të mos ketë ftohje të raporteve midis jush.

Në fillim ndoshta duhet të përdorni lubrikant, sepse vagina mund të jetë e terur. Është mirë që paraloja seksuale të jetë më e gjatë dhe mos filloni me marrëdhënie seksuale pa qenë e ekscituar, sepse mund të ndjeni dhimbje.

Gjatë marrëdhënieve seksuale evitoni pozitat seksuale që mund të shkaktojnë shtypje të barkut (sidomos nëse keni lindur me operacion). Pozita më e përshtatshme është kur ju jeni mbi partnerin tuaj, sepse në këtë mënyrë nuk keni shtypje në bark dhe mund ta kontrolloni thellësinë e penetrimit, si dhe nëse keni dhimbje shumë shpejt mund ta ndërprisni marrëdhënien seksuale.

Duhet ta keni parasysh se edhe pse jeni duke e ushqyer beben me gji, megjithatë është e mundur që të mbeteni shtatzënë, prandaj diskutoni me mjekun mënyrat e mundshme të kontracepsionit.

Nëse edhe pas një pauze të gjatë vazhdoni te keni dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale, patjetër konsultohuni me mjekun. Poashtu, konsultohuni nëse keni gjakrrjedhje nga vagina ose nëse keni sekret të shtuar me erë të rëndë. /Telegrafi/

Exit mobile version