Telegrafi

Kur edhe Dodikut i vjen radha me i ‘mbajt’ BE-së ligjërata për liberalizimin e vizave për Kosovën

Lideri i serbëve të Bosnjë e Hercegovinës, njëherë kryetar i ‘Republika Srpska’ i ka ardhur dita që të përzihet në punët e brendshme të Kosovës, e madje duke iu përgjigjur euro deputetes Viola von Cramon, e cila i ka bërë thirrje atij që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë marrëveshjen për lëvizje të lirë.

Dodik një politikan kundërthënës që njihet si i afërt me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin ka thënë se BE-ja fillimisht duhet t’i lejojë qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm brenda territorit të saj, para se të kërkojë këtë ndaj të tjerëve.

“Po, kemi thënë se do të respektojmë dhe përkrahim lëvizjen e lirë, gjë që nuk do të thotë se do të durojmë ofendimet që vijnë nga institucionet e Kosovës në drejtim të ‘Republika Srpska’”, ka shkruar ai në Twitter.

Lexo po ashtu Dodik paralajmëron bllokim të marrëveshjes për kalim të kufirit vetëm me letërnjoftim ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës

Ndryshe, Dodik ka deklaruar se nuk do ta ratifikojnë këtë marrëveshje për qytetarët e Kosovës, pra lëvizjen e lirë në Bosnjë e Hercegovinë, e cila marrëveshje është iniciativë e Procesit të Berlinit.

E ndaj tij ka reaguar ashpër të mërkurën raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila i ka bërë thirrje Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë marrëveshjen.

“Procesi i Berlinit është për t’i bërë njerëzit të lëvizin lirshëm, të punojnë dhe të tregtojnë në Ballkanin Perëndimor. Bllokimi i ratifikimit dhe pengimi i qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm është i papranueshëm. I bëj thirrje Milorad Dodikut që ta mbajë fjalën dhe ta ratifikojë!”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.

Lexo po ashtu Marrëveshja për lëvizjen me letërnjoftime, Von Cramon, Dodikut: Mbaje fjalën, bllokimi i qytetarëve të Kosovës i papranueshëm

Ndryshe deputetët e Kuvendit të Kosovës javën e kaluar kanë miratuar marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, në të cilën marrëveshje përfshihet edhe lëvizja me letërnjoftime me Bosnjë dhe Hercegovinën. Megjithatë, ky proces po bllokohet nga kreu i “Republika Srpska”, Milorad Dodik. /Telegrafi/