Telegrafi

Kuqezinjtë të gatshëm për Maltën

Të mërkurën në mbrëmje Shqipëria do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme në edicionin e Botërorit 2010, kur të përballet me Maltën në orën 19.30 në La Valeta.

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes “Ta’Qali” dhe tekniku Arie Hean ka ideuar edhe formacionin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë.

Haan ka preferuar të mbajë të fshehtë emrat e lojtarëve që do të zbresin në fushë, por nisur nga ajo çfarë u pa në stërvitje, dhe duke ditur mungesën e titullarëve, si Arjan Beqaj, Lorik Cana dhe Altin Lala, pritet që Shqipëria të luajë me Hidin në portë, Beqirin, Currin, Dallkun e Agollin në mbrojtje. Në mesfushë pritet të jenë Bulku, Lika, Duro e Skela. Sulmi duket dilema më e madhe për Haan, teksa i sigurt në formacion është vetëm Besart Berisha. Sulmuesi tjetër do të jetë njëri mes Bogdanit e Salihit, me lojtarin e Chievos që është i favorizuar.

Të martën, trajneri i Shqipërisë ka dhënë edhe konferencën e fundit për shtyp, para gazetarëve maltezë. Ai ka thënë se ka kujtime të bukura nga ky ishull, ku në të shkuarën ka arritur të fitojë ndaj Valetës me Standartin e Liezhit. Haan ka deklaruar gjithashtu se Shqipëria do të sulmojë vazhdimisht në këtë ndeshje, për të arritur fitoren.

“Skuadra dëshiron të zhvillojë një futboll të mirë dhe ne jemi duke menduar të luajmë plotësisht në sulm”, deklaroi Haan.

Në krahun tjetër, trajneri i Maltës, Dushan Fitzel, nuk ka zbuluar pothuajse asgjë mbi skuadrën që do të hedhë në fushë të mërkurën në mbrëmje. Fitzel e mbajti sekret formacionin, ndërsa u shpreh se i sigurt është vetëm ai dhe askush tjetër.

Për Maltën do të mungojnë Daniel Bogdanoviç i dëmtuar, ndërsa Xhemi Peis, lojtari i cilësuar si më i miri nga Fitzel për eliminatoret e Evropianit, është lënë jashtë. Një tjetër mungesë është ajo e Etien Barbarës, që ka pësuar një dëmtim dhe nuk ka luajtur për asnjë minutë në dy muajt e fundit.

Malta nuk ka asnjë pikë dhe nuk ka shënuar asnjë gol në 4 ndeshjet e para në eliminatoret e Botërorit 2010. /bw/telegrafi/