Site icon Telegrafi

Kuqezinjtë për ta konfirmuar seriozitetin

Betim Zeqiri

Shqipëria është duke u bërë arrë e fortë për përfaqësueset më të mëdha evropiane dhe këtë gjë e din më së miri Franca e Didier Deschampit.

Në ndeshjen e zhvilluar në nëntor në Rennes, ‘shqiponjat’, luajtën pa frikë ndaj yjeve që kushtojnë me dhjetëra miliona euro duke i ndalur ata në barazim 1-1.

Lojtarët që na bëjnë krenar gjithandej botës kaluan në epërsi nëpërmjet Mërgim Mavrajt që shënoi me kokë, por kishin raste tejet të mira për ta dyfishuar epërsinë kur Lenjani apo Cikalleshi nuk ishin të saktë.

E për t’ia mohuar një fitore tjetër të madhe kuqezinjve u përkujdes lojtari që kushton 50 milionë euro, Antoine Griezmann.

Tani radha është për ndeshjen e kthimit, që do të luhet në ‘Elbasan Arena’, stadium që pritet të jetë i stërmbushur me tifozë shqiptarë nga të gjitha trojet e Shqipërisë.

Edhe pse Gianni De Biasi i ka lënë në pushim disa nga lojtarët kryesorë dhe disa të tjerë janë të lënduar, ai kërkon rezultat, për t’i treguar gjithë Evropës se Shqipëria tani është Kombëtare serioze që meriton të respektohet nga të gjithë.

Amir Abrashi, Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka, Mërgim Mavraj, Burim Kukeli, Ansi Agolli dhe Alban Meha do të jenë mungesat e rëndësishme tek shqiptarët, ndërkohë francezët do të jetë të plotë në përjashtim të sulmuesit Karim Benzema.

Por këta lojtarë ka kush i zëvendëson, pasi Shqipëria tani ka edhe një bankë mjaftë të fortë. Lojtarë si Migjen Basha, Ergys Kace dhe Herolind Shala pritet të luajnë për t’i zëvendësuar yjet që do të mungojnë.

Ndeshja do të zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 dhe do të jetë një dit pas vendimit të CAS-it për ndeshjen Serbi – Shqipëri.

Një vendim në favor të Shqipërisë do t’i jepte motiv ekstra të madh lojtarëve për t’ia treguar forcën francezëve ku do t’i bënin krenar gjithë popullin shqiptar anë e mbanë botës.

Shqipëria dita ditës po rritet, po bëhet Kombëtare e madhe dhe e respektuar. Përderisa një Kombëtare si Greqia ka fituar kampionat evropian me një futboll monoton, pse mos të marrë pjesë Shqipëria në vitin 2016 në Francë dhe pse mos t’i befasojë të gjithë në fund për të arritur ndonjë sukses historik.

Fundi fundit, Gianni De Biasi ka sjellë një frymë fituese në ekip dhe loja e bukur nga kuqezinjtë duhet të shpërblehet me sukses. Forca Shqipëri, ti je më e mira. /Telegrafi/

Exit mobile version